Shënohet viktima e katërt nga koronavirusi në Serbi
Beograd, 25 mars - Sipas të dhënave të fundit, në Serbi 303 persona janë të prekur nga koronavirusi, në mesin e të cilëve edhe dy foshnje.
Ministri i Shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Lonçar, sot deklaroi se viktima e katërt e koronavirusit në vend është një grua 60-vjeçare nga Nishi, e cila me vite vuante nga çrregullimi diabetik.
Lonçar gjatë një prononcimi për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) tha se ajo ka qenë në respirator që nga 21 marsi dhe se kishte një formë të rëndë të sëmundjes dhe se mjekët kishin luftuar për jetën e saj deri në minutën e fundit.
Ministri përsëriti thirrjen e tij për qytetarët që të përmbahen nga kontaktet, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të dëgjojnë këshillat e ekspertëve.
Deri dje, në respirator ishin 21 persona, kryesisht pacientë në gjendje të rëndë dhe nuk pati ndonjë ndryshim domethënës deri sot në mëngjes, tha Lonçar.
Sipas të dhënave më të fundit, 303 persona janë të infektuar me koronavirus në Serbi, përfshirë dy foshnje.
Gjithsej 54 persona të infektuar u regjistruan dje ndërsa 152 persona të infektuar nga virusi u shtruan në spital.
Deri më tani, 15 persona janë shëruar nga koronavirusi, përfshirë një vajzë me diabet.