Shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Duhanit
Prishtinë, 31 maj - Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHP) dhe OJQ KADC,l kanë shënuar sot me një takim në Prishtinë Ditën Botërore kundër Duhanit, ku moto e sivjetme e zgjedhur prej OBSH-së është: \"Gjinia dhe duhani me theks në marketingun tek gratë\".
Në përputhje me këtë moto, OBSh Zyra në Prishtinë, ka publikuar raportin e studimit Duhan-pirja dhe përdorimi i substancave tjera psiko-aktive tek shtatzënat në Kosovë.
Në emër të Ministrit të Shëndetësisë, dr. Bujar Bukoshi, në këtë takim ka folur këshilltari i tij profesional dr. Lulzim Çela, i cili tha se, ndonëse Kosova nuk është anëtare e OBSH-së, ajo i bashkohet iniciativës globale për kontrollin e pirjes së duhanit, dhe ka përpiluar e miratuar Ligjin për duhanin dhe aktet nënligjore që janë në konformitet të plotë me legjislacionin ndërkombëtar për kontrollin e duhanit.
Rezultat e para të zbatimit të kësaj kornize ligjore janë shënuar. Shumë institucione publike janë liruar nga duhan-pirja, por mbetet ende për tu bërë.
Për këtë, duhet bashkërenditje dhe bashkëpunim i të gjithë akterëve, përfshirë edhe shoqërinë civile dhe mediat, dhe një nivel edhe më i lartë i ndërgjegjësimit të popullatës për dëmet dhe risqet që vijnë nga pirja e duhani, tha Çela.
Pierre Weber, përfaqësues i Qeverisë së Luksemburgut, ka thënë se në kuadër të problemeve të shëndetit publik janë disa probleme që shkaktohen prej faktorëve të tjerë, e disa të tjera prej vetë njerëzve sikurse është duhani. Prandaj, ka theksuar ai, duhet gjetur mënyra kreative për luftimin e duhan -pirjes.
Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se pas miratimit të Ligjit për duhanin, dhe krijimit të infrastrukturës ligjore, IKSHP dhe institucionet shëndetësore të vendit nuk kanë alternativë tjetër veçse të zgjerojnë rrjetin e institucioneve ku zbatohet ky ligj, dhe duke filluar prej vitit të ardhshëm , duhan pirja, tha ai, duhet të ndalohet në të gjitha vendet ku parashihet me ligj.
Nora Demiri nga Zyra e Koordinatorit të UNKT-së (Ekipi i Agjencioneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë), ka thënë se duhani paraqet sot njërin prej kërcënimeve të mëdha të shëndetit publik, dhe në këtë aspekt, ajo tha se është krijuar korniza ligjore për luftimin e duhanit, ndërsa politika të mira janë ato që mundësojnë zbatimin e tyre.
Për veprimet e ndërmarra nga Inspektorati Sanitar për zbatimin ndalesës së prirjes së duhanit ka folur dr. Iliriana Zymberaj, derisa kryetari i KADC, Shkumbin Spahija ka prezantuar një broshurë informative mbi ndalesën e duhanit.
Dr. Sami Uka nga OBSH-Zyra në Prishtinë ndërkaq, ka prezantuar rezultatet e e studimit Duhan-pirja dhe përdorimi i substancave tjera psiko-aktive tek shtatzënat në Kosovë.
Sipas kësaj tij studimi, prevalenca e duhan-pirjes te gratë shtatzëna në Kosovë është në nivel shumë të lartë, prej 20.9 për qind, krahasuar me vendet e BE-së, ndërkohë që prevalencë më të lartë të duhan-pirjes te kjo kategori në rajon ka vetëm Serbia (37 për qind).
Skënder Syla, shef i OBSh-së në Kosovë, ka bërë të ditur se sivjet, në shënim të Ditës Botërore Kundër Duhanit, dr. Margaret Chan, drejtoresha e përgjithshme e OBSh-së ka nominuar Kryeministrin turk, Z. Recep Tayyip Erdogan, për Çmimin e Ditës Botërore Kundër Duhanit 2010 për udhëheqjen e tij të përkushtuar në kontrollimin e duhanit në Turqi.