Shënohet Dita Ndërkombëtare e Infermierisë
Prishtinë, 10 maj - Qeap-Heimerer në bashkëpunim me Institutin e Evropës Juglindore për Avancime në Shëndetësi dhe Infermieri (IEJL-ASHI), për nder të Ditës Ndërkombëtare të Infermierisë sot kanë organizuar një tryezë diskutimesh me temën Përmirësimi i Reziliencës së Sistemeve Shëndetësore.
Gjatë kësaj tryeze të pranishëm ishin përfaqësues të lartë shtetërorë nga niveli qendror dhe ai lokal, ndër ta Ministri i Shëndetësisë zotëri Imet Rrahmani, po ashtu përfaqësues të institucioneve dhe shërbimeve shëndetësore nga Drejtoria e Shëndetësisë Komuna e Prishtinës, z. Arben Vitia; nga Oda e Infermierëve, z. Naser Rrustemi.
Prezent ishin edhe ekspertë të fushës së infermierisë nga qeap-heimerer, si dhe Udhëheqësi i Institutit të Evropës Juglindore për Avancime në Shëndetësi dhe Infermieri, znj. Petrit Beqiri.
Pas hapjes së tryezës, fjala ju dha Ministrit të Shëndetësisë, z.Imet Rrahmani i cili ndër të tjera potencoi se kohëve të fundit Kosova ka avancuar në aspektin e njohurive të larta shëndetësore, duke veçuar edhe kontributin e dhënë nga kolegji qeap-heimerer për përmirësimin e sistemit shëndetësorë në Kosovë.
Gjatë kësaj tryeze z. Petrit Beqiri nga Instituti i Evropës Juglindore përmendi edhe themeluesen e Infermierisë moderne perëndimore, Florence Nightingale, e cila ishte reformatorja më me ndikim dhe përkujdesje në infermieri në Britaninë e Madhe dhe në të gjithë botën.
Kontribut të veçantë në këtë tryezë dha edhe Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, z. Arben Vitija, i cili theksoi se me work-shope të ndryshme ne kemi arritur ta vërtetojmë se infermieria është shtylla kryesore e sistemit shëndetësor.
Kurse, drejtori Naser Rrustemi, nga Oda e Infermierëve të pranishmëve u uroi Ditën Ndërkombëtare të Infermierisë si dhe suksese të mëtutjeshme në bashkëpunime të ndryshme.
Këtë bashkëpunim e konsideron shumë të rëndësishëm edhe kryetari i Bordit Licencues, z. Hysni Bajrami, i cili beson që së bashku me kolegjet model siç është qeap-heimerer do të arrijmë çdo synim në avancimin e Infermierisë.
Ndërsa, profesoresha Prof.Dr. Natyra Karahoda, gjatë këtij diskutimi tha se ka edhe shumë gjëra për të bërë, sepse çdo fillim është i vështirë, andaj nevojitet inkurajim i madh për të arritur në nivele të larta.
Si çështje të veçantë nga organizatorja e kësaj tryeze, njëherë dhe Zëvendës Drejtoreshë e kolegjit qeap-heimerer, znj. Naime Brajshori, u përmend edhe rrezikshmëria në punë, ku theksoi se kultura e sigurisë së pacientit në vendin tonë është shumë e ulët, që rezulton me incidente të ndryshme të cilat nuk paraqiten asnjëherë.
Nga konkludimet e kësaj tryeze, përveç tjerash, ndër më të rëndësishmet që u potencuan ishin rëndësia e studimeve në fushën e infermierisë dhe avancimi jo vetëm profesional, por edhe ai stimulues në kuptimin financiar i studentëve që përfundojnë studimet në këtë fushë.
Sipas drejtorit të Institutit z. Petrit Beqiri, kjo tryezë kishte karakter debati në identifikimin e problemeve që e atakojnë sistemin shëndetësorë në Kosovë, konkretisht infermierinë e vendit, në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.