23 Dhjetor 2024

Shënohet dita evropiane e të drejtave të pacientëve

Prishtinë, 18 prill - Organizuar nga Asociacioni për të Drejtat e Pacientëve “PRAK”, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike sot në Prishtinë u organizua konferenca: “Të drejtat e pacientëve”, kushtuar 18 prillit që shënon Ditën  Evropiane për të Drejtat e pacientëve.

Në këtë takim, i pari i këtij lloji në Kosovë pas luftës, zyrtarë të institucioneve shëndetësore dhe të shoqërisë civile kanë kërkuar forcimin e partneritetit midis profesionistëve shëndetësor dhe pacientëve, me qëllim që këta të fundit, të jenë më të informuar për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre në Kujdesin Shëndetësor, me qëllim të fuqizimit të tyre në procesin e reformave në shëndetësi.

Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, tha se brenda ndryshimeve të cilat do të ndodhin në sistemin shëndetësor të vendit, përmes procesit të filluar të reformave, institucionet shëndetësore dhe profesionistët shëndetësor duhet ta japin maksimumin që të drejtat e pacientëve të respektohen dhe partneriteti të rezultojë më një qasje shumë më aktive nga ana e pacientëve në mënyrë që të ngrihet vetëdija për respektimin e të drejtave të tyre.

Pasi ka kujtuar se vet Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e qytetarëve në Kujdesin Shëndetësor ka të bëjë pikërisht me mbrojtjen e pacientëve gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore, Ministri Agani theksoi se në procesin e reformave që do të ecin shumë më shpejt me zhbllokimin e Ligjit të ri të Shëndetësisë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të jap verdiktin e saj rreth neneve që janë kontestuar në mënyrë të pakuptueshme dhe nene këto që kanë të bëjnë pikërisht me të drejtat e pacientëve, pacientët do të jenë dora e djathtë e reformës.

“Reforma e kë një synim-satisfaksionin e qytetarëve lidhur me cilësinë e shërbimeve shëndetësore, pra përmirësimin e tyre dhe kalimin prej një sistemi shëndetësor të periudhës emergjente, në një sistem bashkëkohor dhe brenda të cilit pacientët do t’i realizojnë të drejtat e tyre”, tha Ministri Agani.

Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së, tha se kur bëhet fjalë për të drejtat e pacientëve, profesionistët shëndetësor duhet t’u përmbahen dy postulateve të babait të Mjekësisë, Hipokratit: I pari “Mos dëmtoni” dhe i dyti: “Së pari ndihmoni”!.

Ai tha se përmbajtja e këtyre parimeve ndihmon në ndërgjegjësimin për realizmin e të drejtave të pacientëve, ndërsa theksoi se në fushën e ofrimit të shërbimeve, IKSHP tashmë me përkrahjen e MSh-së ka arritur t’i akreditojë laboratorët e saj certifikojë ata në nivel ndërkombëtar sipas parimeve të OBSH-së.

Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë tha se fillimisht shërbimet shëndetësore kanë qenë të organizuara për t’iu përgjigjur dhe trajtuar sëmundjet akute, ndërsa sot, nevoja e rritur për trajtimin e sëmundjeve kronike kërkon një qasje tjetër.

“Raporti pacient-profesionist shëndetësor është duke ndryshuar thelbësisht, pacienti po konsiderohet ekspert në bazë të përvojës së tij, andaj pjesëmarrja e tij aktive në vendimmarrje është vitale”, tha ai.

Dr. Syla u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësor që të forcojnë partneritetin me pacientët drejt fuqizimit të tyre, pasi që, theksoi ai, pacientët kanë të drejtë për t’u informuar, për t’u dëgjuar, për të zgjedhur dhe për të marrë kujdes të sigurt shëndetësor.

Dr. Muhamedali Kodra, drejtor i bordit të “PRAK”-ut tha se ky asociacion i formuar rishtazi ka për qëllim që të ndikojë tek popullata për ndërgjegjësimin e tyre për të drejtat në kujdes shëndetësor dhe evokimin te MSH-ja dhe institucionet shëndetësore për realizimin e këtyre të drejtave të pacientëve.

Në këtë aspekt, tha ai, “do të punojmë bashkë me institucionet shëndetësore dhe pacientët, që në reformën shëndetësore, pacientët të sigurojnë respektimin e të drejtave të tyre dhe shërbimet shëndetësore të garantuara sipas ligjit”.

Në këtë shënim u bë edhe një prezantim i një hulumtimi  rreth të drejtave të pacientëve, realizuar në Prishtinë dhe Prizren, ku u theksua se duhet përmirësuar komunikimi dhe informimi i qytetarëve nga profesionistët lidhur me ligjet që i mbrojnë ata dhe Kartën për të Drejtat e Pacientëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)