24 Dhjetor 2024

Shënohet Dita Botërore pa Duhan

Prishtinë, 31 maj - Me slloganin: “Merr frymë shlirë”, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe organizatën KADC shënoi sot Ditën Botërore pa Duhan, e cila sivjet në nivel global shënohet me moton: “Ndalo promovimin, sponzorimin dhe reklamimin e duhanit”.

Në shënimin qendror të kësaj dite që u mbajt në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pjesëmarrësit në shënim vlerësuan se Ligji I ri për Kontrollin e Duhanit ka gjetur një mbështetje në gjerë në mesin e qytetarëve të vendit dhe fillimi i zbatimit të tij është premtues se ai do të zbatohet në masën më të mirë të mundshme.

Në këtë shënim, zyrtarët nga institucionet, mekanizmat ndërkombëtar dhe shoqëria civile u kanë bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë që ligji që ndalon pirjen e duhanit në të gjitha hapësirat publike të mbyllura, vendet e punës dhe mjetet e transportit publik të zbatohet në përpikëri, pasi që kështu do të përmirësohet edhe shëndeti publik në vend.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, tha se  për dallim nga vitet e kaluara këtë vit, Dita Botërore pa Duhan, po shënohet me futjen në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit, e i cili dëshmon se Kosova dhe populli i saj ka vlera civilizuese.

“Është një fillim premtues sa i përket zbatimit të ligjit, dhe në falënderojmë qytetarët e vendit, komunitetin e biznesit dhe të gjithë ata që duke respektuar ligjin, po dëshmojnë se shoqëria jonë është e pjekur dhe koshiente për nevojën e mbrojtjes së shëndetit të saj”, tha Ministri Agani.

Ai tha se është e natyrshme që të priten edhe vështirësi, por institucionet janë të vendosura që ky ligj të zbatohet duke garantuar mbrojtjen e shëndetit publik të popullatës pa dëmtuar të tjerët.

Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila, njëherësh Ministre e Tregtisë tha se janë të rralla ligjet, të cilat meritojnë të cilësohen si historike, por Ligji për Kontrollin e Duhanit vërtetë është I tillë dhe paraqet një arritje të rëndësishme marrë parasysh vullnetin e institucioneve dhe qytetarëve për ta zbatuar ata.

Ajo tha se MTI do t’i zbatojë përgjegjësitë e veta në zbatimin e këtij ligji, që paraqet njërin prej ligjeve më të rëndësishme që ka miratuar Kuvendi i Kosovës.

Ilirjana Zymberaj, drejtoresh e Inspektoratit Sanitar , ka bërë të ditur se që nga 22 maj, kur edhe ka hyrë në fuqi ligji për kontrollin e duhanit, inspektorati ka inspektuar mbi 100 lokacione të ndryshme dhe se ka vërejtur se ky ligj po gjen zbatim të mirë.

Hyrjen në fuqi të Ligjit për Kontrollin e Duhanit e ka përshëndetur edhe zëvendësdrejtoresha e IKSHP-së, dr. Selvete Krasniqi dhe Përfaqësuesi i Ambasadës së Luksemburgut në Kosovë Pierre Weber që ka përgëzuar Kosovën për këtë sukses, ndërkohë që drejtori ekzekutiv I KADC-së, Shkumbin Spahija tha se arritja e këtij ligji ishte sukses i një pune të përbashkët të institucioneve me shoqërinë civile, OBSH-në e UNICEF-in dhe mbështetjen e fuqishme të MSH-së.

OBSH-ja vlerëson se pirja pasive e duhanit llogaritet që shkakton diku rreth 600 mijë vdekje të parakohshme në tërë botën për çdo vit.

Nga ky numër i vdekjeve të parakohshme 31 për qind janë tek fëmijët dhe 64 për qind janë tek femrat. 700 milionë fëmijë në tërë botën, apo diku rreth 40 për qind e tërë fëmijëve në rruzullin tokësor janë të ekspozuar ndaj pirjes pasive të duhanit në shtëpitë e tyre.

Për këtë arsye që nga data 22 maj-Ditën kur ka hyrë në fuqi Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë, MSH , OBSH dhe KADC kanë lansuar fushatën “Merr frymë shlirë”, e cila prej sot është pasuruar edhe me video-spote të reja të përbashkëta, shpërndarje të materialeve vetëdijesuese dhe shenjave për ndalimin e pirjes së duhanit në vendet e ndaluara me ligj.

Në kuadër të kësaj fushate, Ministri I Shëndetësisë Ferid Agani, bashkë me anëtarët e Koalicionit Anti-duhan, në mesditë kanë mbështetur edhe nismën e një organizata të rinjsh dhe NDI, duke takuar qytetarë në sheshin e Prishtinës, ndarë me ta materiale informative dhe duke vizituar disa kafe bare, në të cilat, gjatë vizitës, qytetarët janë gjetur duke e respektuar ligjin në plotëni.

Po ashtu, Ministri dhe anëtarët e Koalicionit Anti-duhan, kanë marrë pjesë edhe në një debat me të rinj kosovarë të organizuar nga organizata “KUSA”, në mjediset e saj, dhe me vijues të programeve të ndryshme të mbështetura nga Qeveria amerikane.

Në mbrëmje ndërkaq, për të shënuar ndryshimin kulturor që po krijon Ligji për Kontrollin e Duhanit në kryeqytet figura të jetës publike, media, qytetarë dhe të ftuar të tjerë do bëhen bashkë për të shënuar hyrjen në fuqi të ligjit ne një “Jazz –party”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)