Shënohet Dita Botërore e Tuberkulozit
Prishtinë, 22 mars - Organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, Institutin Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Shoqata e pulmologëve të Kosovës, Fondi Global - me OJQ / KeA, sot në të gjitha qendra rajonale të Kosovës : Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë u shënua Dita Botërore e Tuberkulozit.
Shënimi kryesor i kësaj dite u mbajt në Spitalin e Mushkërive në Pejë me temën: Të arriturat në kontrollin e tuberkulozit në Kosovë dhe sfidat e së ardhmes.
Dr. Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSh tha se Ministria e Shëndetësisë në partneritet të ngushtë me shoqërinë civile dhe e mbështetur nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka arritur të bëjë sigurimin e donacioneve të jashtme, të cilat mundësuan implementimin e intervenimeve të cilat kanë zbutur ndikimin e epidemisë së tuberkulozit gjatë kësaj periudhe, duke e përgjysmuar numrin e rasteve, prej 1776 rasteve në vitin 2000, në 948 raste në vitin 2012.
Ky është një sukses i madh duke marrë parasysh kushtet ekonomike, sociale dhe politike të Republikës së Kosovës, tha dr. Gjocaj.
Prof. Dr. Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tha se situata epidemiologjike sa i përket TB në Kosovë është e volitshme, falë një armate të tërë profesionistësh shëndetësor, që punojnë në institucione publike dhe private shëndetësore dhe angazhimeve edhe të shoqërisë civile.
Një falënderim i veçantë për suksesin në trajtimin e TB në Kosovë u shkon profesionistëve shëndetësor, që paraqesin vijën e parë të frontit, duke nisur nga Qendrat e Mjekësisë Familjare që përmes programit të zgjeruar të imunizimit kanë arritur të bëjnë mrekullia, tha dr. Ramadani.
Prof. Dr. Behxhet Osmani, kryetar i Shoqatës së Pulmologëve të Kosovës, tha se rezultatet në ballafaqim me TB janë shumë të mira, por kërkohet angazhim edhe më i madh prevelenca të ulet edhe më tej. Ai theksoi se me mbështetjen e MSh-së, në Spitalin e Mushkërive në Pejë është siguruar hapësira për trajtimin e pacientëve që janë rezistentë në terapinë antituberkulare të rendit të parë, dhe janë siguruar barnat antituberkulare të rendit të dytë për këta pacientë.
Dr. Rukije Mehmeti, menaxhere kombëtare e TB-së në kuadër të MSh-së, prezantoi një raport rreth situatës epidemiologjike me TB në Kosovë, ku vërehet një rënie e numrit të të prekurve prej viti në vit, derisa theksoi se zbatimi objektivave të Strategjisë Kombëtare për TB, do ti mundësojë Kosovës që ta ul edhe më tej numrin e të prekurve, që mesatarisht sillet rreth 50 të prekur në 100 mijë banorë.
Dr. Skënder Dreshaj, drejtor i SR të Pejës tha se me hapat që po ndërmirren dhe rezultatet e arritura janë një dëshmi se tuberkulozi nuk ka të ardhme në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë, e mbështetur nga OBSH ka hartuar Strategjinë Kombëtare për TB 2012-2016, ka siguruar përmes donatorit Fondi Global terapinë falas për pacientët e prekur nga TB, përfshirë këtu edhe terapinë për barnat antituberkulare të rendit të parë dhe rendit të dytë dhe po implementon programin për TB, bashkë me CDF-in si marrës kryesor dhe nën-marrësit e tjerë nga shoqëria civile si organizata KEA dhe partnerët e tjerë.
Me rastin e Ditës Botërore, aktivitete janë mbajtur edhe në kryeqytet dhe qendrat e tjera, ndërsa arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën, e po ashtu edhe në Kosovë është THIRRJA për AKSION për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do te përkrahin eliminimin e Tuberkulozit në Kosovë dhe në botë.