Shënohet Dita Botërore e Kontracepsionit
Prishtinë, 26 shtator - Dita Botërore e Kontracepsionit (DBK) shënohet në mbarë botën dhe ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së popullatës për kontracepsionin dhe marrëdhëniet e sigurta seksuale, në veçanti fuqizimin e të rinjëve që të bëjnë zgjedhje të informuar për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues.
Me këtë rast, UNFPA në Kosovë nëpërmjet fondeve të Qeverisë së Luksemburgut dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, organizon tryezën e rrumbubllaktë për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Kontracepcionit 2014 me moton E ardhmja jote është zgjedhja jote!, që do të mbahet në Hotel Sirius.
Rreth 222 milionë gra në vendet në zhvillim nuk i kanë nevojat e plotësuara për planifkim familjar. Edhe në Kosovë, sipas Anketës Demografike dhe Shëndetësore të vitit 2009, përdorimi i metodave moderne të planifikimit familjar është shumë i ultë, 15 %, gjë që tregon për nevojat e paplotësuara të popullatës së moshës riprodhuese.
Nga hulumtimi Sjelljet shëndetësore tek fëmijët e moshës shkollore të vitit 2004, është raportuar se nga 4531 nxënës të intervistuar, 13.3% prej tyre kanë pasur marrëdhënien e parë seksuale nën moshën 15 vjeçe, nga të cilët 26.5 % nuk kanë përdorur asnjë masë mbrojtëse.
Dita Botërore e Kontracepsionit 2014 fokusohet në fuqizimin e të rinjëve që të mendojnë paraprakisht, dhe ta përfshijnë kontracepcionin në planet e tyre të ardhme, në mënyrë që të parandalojnë shtatzënitë e paplanifkuara apo infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST).
Gjithashtu, rëndësi e veçantë do ti kushtohet komunikimit në mes të prindërve dhe fëmijëve të tyre për shëndetin seksual dhe riprodhues, përfshirë kontracepsionin.
Në Kosovë, DBK do të shënohet me moton E ardhmja jote është zgjedhja jote! Për këtë qëllim, UNFPA, nëpërmjet fondeve të Qeverisë së Luksemburgut, në bashkëunim me Ministrinë e Shëndetësisë, Qendrën për Zhvillim të Mjekësisë familjare, OJQ Health for All dhe PEN, do të implementojë një seri të aktiviteteve:
· Tryezë e rrumbullakët me vendimarrësit dhe të rinjët për Ditën Ndërkombëtare të Kontracepsionit (e premte, 26 Shtator, Hotel Sirius 8:30-12:00)
· Shfaqja e një drame e përgatitur nga të rinjtë;
· Shpërndarja e 22000 broshurave informative lidhur me shëndetin riprodhues të të rinjëve nëpërmes shtypit ditor dhe aktiviteteve të tjera edukative shëndetësore;
· Një pikë informuese në qendër të Prishtinës, ku edukatorët e rinjë bashkëmoshatar do të shpërndajnë broshura, kondoma falas dhe do të jepen informata nga gjinekologu për sjelljet e shëndetshme seksuale, përfshirë promovimin e kondomit si mbrojtje e dyfishtë (e premte, 26 shtator);
· Shfaqja e TV spoteve për vetëdijësimin e të rinjëve dhe prindërve të tyre rreth shëndetit seksual dhe riprodhues (25 shtator 01 tetor).