Shënohet dita botërore e Hepatit B dhe C
Prishtinë, 27 korrik - Me moton, Është më afër se që mendon, Në Klinikën e Sëmundjeve Ngjitëse të QKUK-së, është shënuar dita botërore e Hepatitit B dhe C, aktivitet ky që shënohet për herë të parë në Kosovë.
Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, tha se Hepatiti është sëmundje e cila vazhdon të paraqes problem për shëndetësinë publike, përkundër përpjekjeve të jashtëzakonshme të ekspertëve shëndetësorë të Klinikës Infektive dhe atyre të spitaleve rajonale.
Në vitet e fundit po paraqiten edhe lloje të reja të sëmundjeve të hepatitit dhe po e vështirësojnë edhe më shumë situatën. Më vjen mirë që organizata e infektologëve e ka ngritur këtë çështje për vetëdijesim të qytetarëve. Ministria e Shëndetësisë e mbështetë propozimin e Shoqatës së infektologëve për formimin e një strategjie kombëtare në luftë kundër kësaj sëmundje tha Ministri Agani.
Në anën tjetër Dr. Skënder Syla, Drejtor i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kosovë, shpjegoi se nga statistikat e OBSH-së, thuhet se 2 miliardë njerëz në botë janë të infektuar nga hepatiti B dhe rreth 150 milionë me hapatit C.
Kjo ditë duhet të na ofrojë një mundësi për tu përqendruar në veprime konkrete si janë fuqizimi i parandalimit dhe testimit dhe kontrollimi i hepatitit viral, rritja e mbulueshmërisë së vaksinimit kundër hepatit B potencoi dr.Syla.
Sipas tij, OBSH, për këtë vit është përqendruar në parandalimin e hepatitit C, tek përdoruesit e drogave dhe të infektuarit me virusin HIV AIDS, pra për vetëdijesim të qytetarëve, ku sipas të dhënave të OBSH së, rreth 9 milionë njerëz në botë janë të infektuar me hepatit C.
Dr. Shemsedin Dreshaj, Drejtor i Klinikës Infektive, theksoi se kjo sëmundje në nivelin botëror paraqet nivelin e tretë e cila shkakton vdekjen. Kosova sipas analizave nuk ka numër të madh të rasteve, mirëpo janë në rritje e sipër, përfundoi dr. Dreshaj.
Me këtë rast u bë thirrje që mos të injorohet hepatiti sepse është sëmundje me forcë vdekjeprurëse që prekë, një në dymbëdhjetë njerëz në të gjithë botën, por shumë rrallë shfaq shenja të dukshme.