Shënohet Dita Botërore e dhurimit të Gjakut
Prishtinë, 14 qershor - Kosova u është bashkuar vendeve të cilat kanë shënuar sot Ditën Botërore të dhurimit të gjakut, e cila sivjet shënohet me moton: Më shumë gjak, më shumë jetë.
Sipas drejtorit të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, dr. Hysen Sadriu, numri i qytetarëve që sot i është bashkuar shënimit të kësaj dite duke dhuruar vullnetarisht gjak ka qenë impresionues.
Ai ka bërë të ditur se shënimi i kësaj dite do të pasohet me aktivitete humanitare të dhurimit dhe grumbullimit të gjakut në kuadër të Javës së dhurimit të gjakut që do të zgjas deri më 18 qershor, ndërkohë që ka apeluar që dhurimi i gjakut të behët një traditë e përhershme gjatë tërë vitit.
Me rastin e Ditës Botërore të dhurimit të gjakut aksione të grumbullimit të gjakut me vullnetarë janë shënuar në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), ndërkohë që gjatë tërë ditës së sotme, një ekip mobil i kësaj qendre u ka mundësuar vullnetarëve të kontribuojnë me dhurimin e gjakut për nevoja të pacientëve kosovarë në sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet.
Kësaj nisme sot në mënyrë të organizuar i është përgjigjur edhe personeli i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë që në mënyrë të organizuar ka dhuruar gjak në QKTGJ, duke apeluar që këtë shembull të ndjekin edhe profesionistët e tjerë shëndetësorë.