Shëndeti mjedisor në Kosovë në nivele shqetësuese
Prishtinë, 1 nëntor - Në një tryezë shkencore të mbajtur sot në Prishtinë të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), me këshillim të ngushtë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), profesionistë të fushës së shëndetit publik, mjekësisë së përgjithshme, akademikë e ekspertë mjedisor e të fushave tjera, diskutuan mbi shëndetin mjedisor në Kosovë.
Diskutimet u përqendruan në rolin që luan djegia e qymyrit në shëndetin e njeriut. Diskutimi nisi me gjetjet që Instituti i medicinës së punës kishte përpunuar për audiencën.
Në prezantimin që bëri Dr. Xhevat Pllana nga ky Institut u paraqitën fakte shqetësuese mbi numrin e punonjësve të energjetikës të prekur nga sëmundjet e traktit respirator dhe kardio-vaskular.
Gjetje të njëjta ka pasur edhe ekzaminimit të shëndetit të banorëve që jetojnë në rrethinën e termocentraleve.
Dr. Avdulla Alija nga Departamenti i Biologjisë i Universitetit të Prishtinës më pastaj paraqiti para të pranishmëve gjetjet e këtij departamenti mbi ndikimin e ndotjes në përbërjen gjenetike të njeriut, duke i testuar ato tek gjallesat bimore.
Faktet flasin që ndotja nga djegia e qymyrit shkakton ndryshime gjenetike në nivelin qelizor dhe mund të prekë çdo fushë të shëndetit nga niveli i kromozomeve.
Universiteti i Prishtinës në bashkëpunim me atë të Salzburgut u njoftua qe janë duke realizuar një studim dy-vjeçar mbi atë se sa janë këto ndikime në shëndetin e njeriut dhe se si shoqërohen ndryshimet gjenetike tek njeriu.
Prezantimi i fundit u bë nga Dr. Alan Lockwood, Profesor Emeritus i Universitetit të Buffalos në New York. D. Lockwood prezantoi para të pranishmëve koston që amerikanët e paguajnë në baza vjetore si pasojë e ndotjes nga djegia e qymyrit.
Rreth 62 miliardë dollarë amerikan është kostoja vjetore që amerikanët paguajnë për shëndetin e prekur nga djegia e qymyrit, u shpreh Dr. Lockwood.
Ai po ashtu shpjegoi që grimcat e transmetuara në mjedis përveç sëmundjeve të njohura kancerogjene dhe kardio-vaskulare, janë përgjegjëse edhe për sëmundjen e sheqerit dhe atë të Alzheimerit.
Drejtuesja e këtij debati, Dr. Ilirjana Bajraktari nga OBSH në fund kërkoi nga të pranishmit që nën koordinimin e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe në bashkëpunim me akterët pjesëmarrës të ngritet një komitet për të identifikuar hapat e nevojshëm për një studim mbi shëndetin mjedisor në Kosovë.
Një studim i tillë është i domosdoshëm të bëhet në Kosovë në mënyrë që përfundimisht të dihet kostoja që kosovarët paguajnë për shëndetin e tyre të prekur nga ndotja e mjedisit.
Mungesa e të dhënave të tilla thelbësore paraqet shqetësim serioz për vendin dhe është domosdoshmëri e kohës të bëhet tani kur Kosova është në vlugun e punëve të zhvillimit të mëtutjeshëm të sektorit energjetik në vend.
Të pranishmit u pajtuan me këtë ide dhe me institucionet që duhet të jenë pjesëmarrëse në këtë grup. Shoqata e Pulmologëve, Instituti për Shëndetin Publik, Instituti i Medicinës së Punës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, e institucione tjera do të përfshihen përkrahë ekspertëve të OBSH-së e të tjerë në këtë studim.