Shëndeti mjedisor me prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë
Prishtinë, 19 janar - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, priti sot një delegacion të organizatës Mercy -Corps, të kryesuar nga drejtori për Kosovës, z. Lee Norrgards, me të cilin është biseduar për mundësitë e bashkëpunimit.
Në këtë takim është biseduar lidhur me zhvillimin e programit të mbikëqyrjes së plumbit në gjakun e fëmijëve dhe të rriturve në Lagjen e romëve në Mitrovicë dhe shërbimet të cilat Mercy- Corps në këtë aspekt është duke i ofruar bashkë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë si dhe mundësitë e vazhdimit të zbatimit të këtij programi nën autoritetin e plotë të Ministrisë së Shëndetësisë pas përfundimit të programit nga Mercy- Corps.
Ministri Agani theksoi nevojën për koordinimin e aktiviteteve për themelimin dhe ndërtimin e Institutit të Toksikologjisë pranë QKUK-së, si nevojë imediate për të adresuar në mënyrë adekuate çështjet që kanë të bëjnë me rrezikimin e shëndetit si pasojë e helmeve.
Në takim janë diskutuar edhe çështje të tjera të lidhura me shëndetin mjedisor në komunën e Mitrovicës, për çka u dakordua nevoja e organizimit të një takimi të përbashkët edhe me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.