Shëndeti është segmenti më i rëndësishëm i një popullate
Prishtinë, 13 Maj - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Bujar Bukoshi, tha sot se shëndeti i nënave dhe fëmijëve është segmenti më i rëndësishëm i një popullate. Prandaj, për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë e ka radhitur si prioritet të parë zvogëlimin e sëmundshmërisë dhe vdekshëmrisë së popullatës në Strategjinë Sektoriale Shëndetësore 2010-2014.
Ministri Bukoshi deklaroi kështu në Konferencën Vjetore të Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës (SHOGJK) dhe Konferencës së dytë të Royal College i Obstetërve dhe Gjinekologëve (RCOG) nga Mbretëria e Bashkuar, si pjesë e iniciativës RCOG-Eurovision, e cila me moton Së bashku për shëndetin e grave dhe fëmijëve, i filloi sot punimet në Prishtinë.
Në këtë konferencë tre ditore që është një bashkëpunim i afërt i shoqatave profesionale në përmbushjen e misionit të tyre për të arritur qëllimet e zhvillimit të Mijëvjeçarit nr. 4 dhe nr. 5, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me shëndetin e nënave dhe fëmijëve, po marrin pjesë ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për shëndetin e nënës dhe fëmijës dhe ajo po mbahet edhe në bashkëpunim me Federatën Evropiane për Kolposkopi (EFC), Federatën Ndërkombëtare për Patologjinë e Cerviksit dhe Kolposkopi (IFCPC), Fakultetin e Kujdesit Shëndetësor Seksual dhe Reproduktiv, Shoqatën Evropiane për Kontracepsion (ESC), Aleancën Ndërkombëtare Amerikane të Shëndetësisë (AIHA) dhe me Agjencionin për Zhvillim Ndërkombëtar të Shteteve të Bashkuara (USAID), nën patronatin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Ministri Bukoshi, duke inkurajuar bashkëpunimin global në këtë fushë, ka përshëndetur edhe pjesëmarrjen e mjekëve nga Graçanica në konferencë duke theksuar se misioni i Ministrisë së Shëndetësisë është mbi politikën, ndërkohë që ka theksuar se përmirësimi i indikatorëve për shëndetin e nënave, fëmijëve dhe adoleshentëve, kërkon një plan energjik dhe të koordinuar të shumë sektorëve, në kohën kur shëndetësia kosovare ka para vetes shumë sfida.
Dr. Shefqet Lulaj, kryetar i SHOGJK dhe kryetar i Komitetit Kosovar për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, tha se reduktimi i sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë së popullatës është prioritet , konkretisht në komunitetin e grave dhe fëmijëve. Ai ka prezantuar statistika mbi gjendjen perinatale 2000-2009 në Kosovë, ku ndër të tjera vërehet një rënie e ndjeshme e natalitetit dhe rritje e lindjeve me prerje cezariane, ndërkohë që vdekshmëria perinatale ka shënuar rënie.
Kryetari i Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve të Britanisë së Madhe, profesori Sabaratnam Arulkumaran tha se kjo konferencë interaktive midis profesionistëve të Britanisë së Madhe dhe atyre kosovarë do të ketë impakt në zhvillimin e njohurive për implementimin e programeve moderne për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve.
Këtë bashkëpunim interaktiv të kësaj konference, e kanë përshëndetur edhe Zëvendësambasadorja e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore në Kosovë, Anna Jackson, shefi i Zyrës së Qeverisë së Luksemburgut në Kosovë, Pierre Weber, në emër të Agjensioneve të OKB-së në Kosovë, ka përshëndetur Doina Bologa (UNICEF-OBSH-UNFPA) si dhe përfaqësuesi i USAID-it, Joze Garzon.
Konferenca do të vazhdojë edhe nesër e pasnesër me tema që trajtojnë aspekte të shëndetit të gruas e fëmijës, shëndetin material dhe perinatal, si dhe do të organizohen kurse trajnuese për kolonoskopi, modalitetet e trajtimit të infertilitetit, kontracepcionin dhe shëndetin reproduktiv, zhvillimin e udhëzuesve dhe protokolleve, të cilat u përgjigjen nevojave vendore në Kosovë, etj.