Shëndetësia, ultimatum qeverisë deri me 28 shkurt
Prishtinë, 8 shkurt - Këshilli Kombëtar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, ka zhvilluar mbledhje të jashtëzakonshme, mbledhje që filloi me tensione dhe diskutime të shumta, e nga një herë edhe me akuza emocionale.
FSSHK-ja, iu ka bashkangjitur komunikatës së sindikalistëve të QKUK-së, me çrast kanë ftuar kryeministrin e Kosovës, që në një afat kohor prej tre ditësh të organizojë takim me të gjitha strukturat relevante qeveritare dhe sindikaliste që të dilet nga situata e krijuar në shëndetësinë e Kosovës, e cila sipas tyre mund të shndërrohet në krizë nacionale. Në të kundërtën ata paralajmërojnë se do të marrin hapa tjerë me qëllim të realizimit të kërkesave të tyre.
Kryetari i Sindikatës së QKUK-së, Xhemajl Selmani ka thënë se për hir të situatës së krijuar kanë vendosur që të bashkohen dhe të mendojnë bashkërisht. Ai ka shtuar se gjatë këtij takimi kanë rënë dakord që nëse nuk marrin ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës, të hënën do të dalin me një komunikatë lidhur me vendimet që do ti marrin.
Në anën tjetër, kryetari i FSSHK-së, Asllan Bajrami, ka thënë se kompromisi ka qenë politik dhe FSSHK-ja ka shfuqizuar gjitha vendimet e deritashme, me qëllim të unitetit.
Nëse kryeministri i Kosovës, do të përgjigjet në ultimatumin, atëherë tryeza do të udhëhiqet nga Asllan Bajrami, tha vet kreu i FSSHK-së, edhe pse ultimatumi ishte bërë para se të arrihej marrëveshja mes sindikalistëve.
Këshilli Kombëtar i FSSHK-së, ka vendosur kërkesat e reja, që paga për 30 për qind të rritet për të gjithë të punësuarit në shërbimin publik shëndetësor.
Këshilli ka kërkuar nga Qeveria që 44 euroshi, të mos llogaritet në pagë, por si shtesë në paga, sipas marrëveshjes që ishte nënshkruar mes sindikatës dhe Qeverisë.
Në këtë afat, është kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, që të zotohet me shkrim se do të paguhet 44 euroshi si shtesë. Gjithashtu, është kërkuar procedimi i ligjit të pagave, grevave si dhe atij për organizimin sindikal. Do të ketë greva dhe protesta të pashmangshme, tha Bajrami.
Ftojmë kryeministrin e Republikës së Kosovës, që në afat kohor prej tre ditësh të organizojë takim me të gjitha strukturat relevante qeveritare si dhe sindikaliste shëndetësore, që të dilet nga kjo situatë, e cila mund të shndërrohet në krizë nacionale qysh e ka thënë edhe atëherë. Në të kundërtën ne do të marrim hapa tjerë me qëllim të realizimit të synimeve tona, Blerim Syla, anëtar i kryesisë së Sindikatës së QKUK-së.
Që në fillim përfaqësuesit e QKUK-së i parashtruan me gojë kërkesën Këshillit Kombëtar që të legjitimojë strukturën e zgjedhur në Kuvendin Zgjedhor të mbajtur në qershor 2009. Pas shumë diskutimesh dhe dialogjesh, u arrit kompromisi që:
1. Këshilli Kombëtar shfuqizon vendimin e saj për zgjedhjet në Kuvendin Zgjedhor të QKUK-së, dhe njeh strukturat e dala nga ai Kuvend.
2. Struktura e seksionit sindikal të QKUK-së njeh plotësisht Statutin dhe të gjitha organet e rregulloret e dala nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.
Ky vendim politik është argumentuar me dy fakte: Është në interes të të gjithë punëtorëve shëndetësorë që ketë vetëm një organizim sindikal në vend dhe që Qeveria të mos përdor si arsyetim "pamundësinë" për të negocuar me një përfaqësues legjitim të punëtorëve shëndetësorë.
Këshilli Kombëtar i Federatës i bënë këto kërkesa institucioneve të vendit:
1. Kompensimi në paga prej 44 eurosh të bëhet sipas Marrëveshjes së 14 tetorit 2008
2. Rritja e pagave për të gjithë punëtorët shëndetësorë në masën 30 për qind për të gjithë punëtorët në shëndetësinë publike (13.247) (sipas deklaratës dhe premtimit publik të Kryeministrit të vendit)
3. Të miratohen në procedurë të shpejtë: ligjir për organizimin sindikal dhe ligji për grevat, pasi nuk kanë kosto financiare.
4. Të caktohen afatet e miratimit të tri ligjeve të tjera të Marrëveshjes së 14 tetorit 2008: Ligji i punës, ligji për paga dhe ligji për sigurimet shëndetësore.
5. Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe të gjithë kryetarët e komunale të nxjerrin vendime për njohjen e Marrëveshjes së 14 tetorit 2008, dhe për shtesën në pagë prej 44 eurosh për vitin 2010.
Për plotësimin e këtyre kërkesave, Këshilli Kombëtar i jep afat institucioneve të vendit deri më 28 shkurt 2010.
Përveç kësaj, Këshilli Kombëtar vendosi që të mbështesë kërkesën e seksionit sindikal të QKUK-së që i është dorëzuar sot Qeverisë së Kosovës, që i jep tri ditë afat t'i kthej përgjigje për kërkesat e punëtorëve shëndetësorë, për të zhvilluar një takim zyrtar me përfaqësusit e strukturës sindikale të shëndetësisë.
Këshilli Kombëtar vendosi që ky grup negociator do të kryesohet nga Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Asllan Bajrami, dhe do të marrin pjesë edhe: kryetari i seksionit sindikal të QKUK-së: Xhemajl Selmani dhe nënkryetari, Naim Makolli.