02 Maj 2024

SHBA premton vazhdimin e mbështetjes për shëndetësinë kosovare

Prishtinë, 2 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë priti sot në një takim zyrtar Kryeshefin Ekzekutiv dhe njëherësh edhe Presidentin e Fondacionit amerikan shëndetësor Project Hope (People to People-Health Foundation), Dr. Thomas Kenyon me bashkëpunëtorët e tij nga Uashingtoni dhe nga Zyra Regjionale e fondacionit në Shkup.

Në këtë takim, u vlerësua lart bashkëpunimi midis këtij fondacioni dhe Ministrisë së Shëndetësisë në fushën e mbështetjes që sektorit shëndetësor kosovar fondacioni i ka ofruar përmes sigurimit të barnave kryesisht për trajtimin e sëmundjeve malinje, pajisjeve, mbështetjes për fuqizimin e kapaciteteve menaxhuese dhe zhvillimit të vullnetarizmit në shëndetësi.

Ministri Rrahmani falënderoi krerët më të lartë të këtij fondacioni i cili ka gjashtë vjet që kontribuon në shëndetësinë kosovare duke e vlerësuar bashkëpunimin si strategjik dhe shumë të nevojshëm, ndërkohë që theksoi se përmes donacioneve të Project HOPE, Ministria e Shëndetësisë gjatë kësaj periudhe ka siguruar rreth 40 milionë dollarë amerikanë ndihma, kryesisht citostatikë për trajtimin e kancerit në Kosovë.

“Institucionet kosovare, Ministria e Shëndetësisë, pacientët dhe familjarët e tyre janë mirënjohës për këtë kontribut të madh të Projektit HOPE ”, tha Ministri Rrahmani.

Ai shprehu besimin se bashkëpunimi i mirë deri tani, do të vazhdojë edhe më tej dhe se Ministria do t’i prezantojë projektit HOPE një listë me pajisjet për të cilat kanë nevojë institucionet shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të mundësive diagnostiko dhe të trajtimit dhe ngritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Dr. Thomas Kenyon, i cili para dy muajsh ka marrë drejtimin e Project HOPE tha se është i kënaqur për partneritetin e zhvilluar me MSh-në dhe institucionet shëndetësore të Kosovës, ndërsa theksoi se falë zemërgjerësisë së popullit amerikan, Projec HOPE ka pasur mundësi që të ndihmojë pacientët në Kosovë.

Ai u zotua se Projekti do të vazhdojë ta mbështes shëndetësinë kosovare edhe në vijim, ndërsa theksoi se pas shqyrtimit të kërkesave që do t’u parashtrohen në mënyrë të analizuar, Projekti do të bashkëpunoje me donatorë të ndryshëm që të sigurojë plotësimin e disa prej nevojave që do të kenë institucionet shëndetësore në Kosovë.

Në takimin e zhvilluar në MSh është biseduar edhe për mundësinë e trajnimeve specifike për menaxherët e institucioneve dhe profesionistëve shëndetësor, vlerësimin e pajisjeve mjekësore dhe aspekte të tjera të bashkëpunimit në shëndetësi.

Para takimit në MSh, drejtuesit e Project HOPE kanë qëndruar në QKUK, ku janë takuar me drejtuesit e kësaj qendre si dhe kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë e cila ka qenë përfituese e drejtpërdrejt e donacioneve nga ky projekt.

Project HOPE është fondacion i themeluar nga ish -Presidenti amerikan Dwight Eisenhower në vitin 1958, ndërsa kontribuon me ndihma në shumë vende të botës në fushën e furnizimeve strategjike mjekësore me barna, pajisje mjekësore dhe trajnime shëndetësore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)