Sektori privat përfiton miliona nga mos puna e Radiologjisë
Prishtinë, 14 janar - Pacientët kosovarë janë detyruar tua paguajnë klinikave private rreth 1 milion euro gjatë dy viteve të fundit për tomografinë e kompjuterizuar (CT-në), meqë Klinika e Radiologjisë në QKUK ka zvogëluar numrin e ekzaminimeve.
Ky institucion nga ana tjetër në këtë periudhë ka humbur rreth 150 mijë euro që do ti inkasonte sikur ti kryente këto shërbime me aparaturat e veta dhe me çmimet që janë më të përballueshme për qytetarët, krahasuar me ato në sektorin privat.
Nëse QKUK-ja do të punonte me kapacitetin e njëjtë në vitin 2014, sikurse në vitet paraprake, në këtë qendër, CT-në do të mund ta kryenin 4.000 pacientë më shumë.
Zvarritja e shërbimit ka bërë që të zgjatet lista e pritjes së pacientëve për CT dhe për pasojë ka detyruar ata të drejtohen në klinikat private. Tek to kanë paguar 150 euro në vend se të paguanin 25 euro sa kushton shërbimi i CT-së në QKUK.
/Koha Ditore/