Së shpejti nis puna në njësinë e re për Hemodializë
Prishtinë, 16 qershor - Së shpejti, në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Kodrën e Trimave, do të hapet  njësia e re e Hemodializës, e cila do të veproj nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e  Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).  
Punimet për funksionalizimin e këtij shërbimi janë në përfundim e sipër, kurse këto ditë pritet të bëhet përurimi i saj. Menaxhmenti i  QKUK-së, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që puna të ecën mirë, po ashtu, është siguruar stafi i nevojshëm  i cili do punojë në dy ndërrime. 
Në këtë njësi do të punojnë 16 makina për dializë në 16 shtretër,10 infermiere,  2 mjekë internist dhe 1  mirëmbajtës i makinave. Aktualisht, në  kuadër të  shërbimit të  Hemodializës së vendosur në QKUK, punojnë 30 makina për dializë në gjithsejtë 30 shtretër,  kurse punojnë 32 infermiere dhe 4 mjekë specialistë të nefrologjisë. 
Hapja e njësisë së re të Hemodializës do ta lehtësoi pacientëve në masë të madhe kryerjen e dializës, e po ashtu, do ta lehtësoi tej mase shërbimin aktual të Hemodializës i cili vepron në kuadër të Klinikës Interne të QKUK-së. 
















