Së shpejti funksionalizohen Shërbimet Kombëtare për Shëndetësi
Prishtinë, 1 shkurt - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës,Dr. Ferid Agani, në takimin e sotëm në Institutin e Onkologjisë, u ka sqaruar punëtorëve shëndetësorë rëndësinë e formimit të Shërbimeve Nacionale Kombëtare për Shëndetësi.
Ai ka bërë të ditur se pas miratimit të Ligjit të ri për Shëndetësi, MSH ka filluar riorganizimi përmes të cili do të arrihet decentralizim i përgjegjësive, por do të rritet edhe llogaridhënia.
Fillimisht do bëjmë formimin e 3 Shërbimeve Shëndetësore Nacionale dhe Kombëtare, atë për Onkologji, Shërbimin për Gjinekologji dhe Neonatologji dhe atë për Shëndetin Mendorë, u shpreh Ministri Agani.
Sipas tij, Kosova ka pasur dhe ka profesionistë të mirë shëndetësor, por ka munguar puna ekipore, përderisa me formimin e Bordeve Profesinale dhe Shërbimeve të ndryshme shëndetësore do të ketë shkëmbim më të mirë të përvojave,por do të ketë edhe decentralizim të përgjegjësive të cilat aktualisht i ka MSH.
Ai bëri të ditur se në këto shërbime do të jenë të kyçur edhe profesionistët shëndetësorë të nivelit parësor dhe dytësor.
Duke folur për Shërbimin e ri Onkologjik i cili pritet të formohet së shpejti, ai ka sqaruar se në të do të jenë të kyçur profesionistë nga Instituti Onkologjik, Reparti Hemato- Onkologjik i Klinikës së Pediatrisë dhe Klinika e Hematologjisë, shërbime këto që do të kenë menaxhim të përbashkët.
Ministri Agani, sqaroi se Bordet që do të formohen, do të kenë të drejtën të lidhin kontrata me kompanitë private të sigurimeve shëndetësore, ku më pas mjetet që do të sigurohen nga të hyrat, mund të shfrytëzohen nga shërbimet përkatëse.
Sipas tij, Ligji për Shëndetësi garanton suksese dhe se nenet që është kërkuar mendimi i Gjykatës Kushtetuese, asesi nuk e pengojnë zbatimin e neve tjera që i parasheh Ligji i ri për Shëndetësi.
Ai mes tjerash, shpjegoi se me riorganizimin e ri të shëndetësisë dhe me formimin e Bordeve Profesionale, do të zgjidhet edhe problematika e furnizimit me barna, ngase përgjegjësia do të kaloi direkt tek Bordet.Dr. Agani, tha se ndryshimet dhe puna që do të bëhet, do të bëjë që të rritet konkurrenca me sektorin privat, përderisa pagat do të kenë ngritje të vazhdueshme dhe do të jenë të barabarta me sektorin privat.
Duke folur për performancën në punë, Ministri bëri të ditur se MSH, këtë vit ka në dispozicion një kategori buxhetore për performancë të mirë në punë dhe do të shpërblehen të gjithë punëtorët që tregojnë rezultate në punë.
Dr. Nijazi Gashi, Drejtor Ekzekutiv në QKUK, tha se vazhdimisht po mundohet të shtojë përgjegjësinë në punë të punëtorëve dhe të kërkojë llogaridhënie, mirëpo ka pasur edhe abuzime. Duhet të ndërrohet qasja, tu lihet në përgjegjësi buxheti edhe drejtorëve të Klinikave dhe të kërkohet llogari rreth shpenzimit të tij tha mes tjerash Dr. Gashi.
Dr. Behxhet Osmani, UD. Drejtor i Institutit të Onkologjisë, shpjegoi se në kuadër të Institutit Onkologjik, vazhdimisht ka pasur ngritje të profesionalizmit dhe shtim të kuadrove profesionale.
Kemi formuar konsiliume mjekësore në bashkëpunim edhe me Klinika dhe shërbimet e tjera në mënyrë që diagnostikimi dhe mjekimi i rasteve të jetë sa më i mirë, përfundoi Prof. Osmani.
Ministri Agani, premtoj se takimet më punëtorët shëndetësorë do të vazhdojnë me qëllim që projekti i reformave shëndetësore të realizohet në tërësi