Rritet numri i viktimave të virusit H7N9 në Kinë
Pekin, 18 prill - Deri në mbrëmjen e 16 prillit, numri total i të prekurve me virusin H7N9 arriti në 77, ku 16 prej tyre kanë vdekur.
Gripi i shpendëve H7N9 ka shkaktuar ndikime negative në fushën e bujqësisë, turizmit etj. Sektori bujqësor deklaroi se humbjet totale në tregtinë e shpendëve tejkalojnë 16 miliardë juanë. Njëkohësisht, turizmi i brendshëm është prekur gjithashtu.
Megjithëse gripi i shpendëve H7N9 ka pak kohë që ka nisur në Kinë, ai ka shkaktuar shumë humbje ekonomike në industritë përkatëse. Sipas zv.ministrit të Bujqësisë Gao Hongbin, humbjet e drejtpërdrejta ekonomike kanë kapur shifrën e 16 miliardë juanëve.
\"Sipas statistikave paraprake deri më 15 prill, pas zbulimit të rasteve me virusin H7N9 në Pekin dhe provincën Hënan, ndikimet në tregtinë e shpendëve kanë vijuar përkeqësimin, ndikim ky që po përhapet në zona të ndryshme të Kinës dhe humbjet vijojnë të shtohen.\"
Në të njëjtën kohë, virusi H7N9 ka ndikuar edhe tek turizmi. Megjithëse ende nuk ka fakte se virusi mund të transmetohet nga njeriu tek njeriu, numri i turistëve që udhëtojnë drejt jugut të Kinës është reduktuar ndjeshëm.
Një nga agjencitë turistike në Shangai thotë se kjo është stina më e mirë për të udhëtuar, por për shkak të virusit H7N9, turistët kinezë po udhëtojnë më shumë jashtë vendit se sa në jug.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe sektorët përkatës të Kinës do të ngrenë së bashku një ekip ekspertësh, për të zhvilluar inspektim njëjavor mbi situatën e gripit të shpendëve në Kinë.