Rritet numri i rezonancave magnetike dhe i shërbimeve radiologjike në QKUK
Prishtinë, 26 janar - Në Klinikën e Radiologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është rritur numri i kontrollimeve me Rezonancë Magnetike, Tomografive të Kompjuterizuara (TK - CT), angio TK-CT-ve, biopsive dhe shërbimeve tjera radiologjike.
Angazhimi i menaxhmentit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës dhe i Klinikës së Radiologjisë, për t’u pajisur me pajisje të reja dhe riorganizimi i punës, kanë ndikuar në rritjen e numrit të shërbimeve të ofruara.
Sipas raportit të kësaj klinike, me angazhimin personelit të klinikës gjatë vitit 2019 janë kryer 9 mijë 133 kontrollime me Rezonancë Magnetike, përderisa në vitin 2018 ishin kryer 5 mijë e 826 kontrollime.
Në bazë të të njëjtave statistika, numri i Tomografive të Kompjuterizuara(CT) ka shënuar rritje; më 2019 janë realizuar 21 mijë e 501, kundrejt 19 mijë e 922, që ishin kryer më 2018. Në vitin 2019 janë kryer 1086 TK angjiografi derisa në vitin 2018 janë realizuar 386 TK angiografi.
Stafi i kësaj klinike, ka rritje për rreth 95% numrin e biopsive të kryera, duke realizuar 707 sosh, kurse një vit më parë ishin krye 362 biopsi.
Rritje ka pasur edhe për sa i përket numrit të radiogrameve(rëntgene) e që janë realizuar 77 mijë 338, krahasuar me vitin paraprak, ku ishin kryer 76 mijë e 668 radiograme.
Gjatë këtij viti, pas pajisjes me aparatin e dytë të Rezonancës Magnetike të dhe një aparati të Tomografisë së Kompjuterizuar (TK - CT), pritet që edhe më tutje të rritet numri i shërbimeve dhe rritet kualiteti i tyre, meqë klinika është furnizuar me tre injektorë automatik.
Klinika e Radiologjisë, është në renovim e sipër, pritet që së shpejti të përurohen hapësirat e reja, duke ofruar kushte optimale për personelin dhe pacientët me pritoren e re.