Rrezikohen planet për çrrënjosjen e fruthit
Gjenevë, 7 maj - Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se përhapja e fruthit në Evropën Lindore, Turqi dhe Britani, po i rrezikon shpresat për çrrënjosjen e kësaj sëmundjeje në Evropë deri në vitin 2015.
Fruthi, sëmundje me infekcion të lartë që shkakton temperaturë të lartë dhe njolla në lëkurë, është njëri nga shkaqet kryesore të vdekjeve të fëmijëve në gjithë botën, por ishte në rrugën e eliminimit të plotë në Evropë, për shkak të fushatave efektive të vaksinimit.
OBSH tash thotë se numri i vaksinimeve ka rënë dhe se është raportuar për një numër të madh të rasteve të fruthit gjatë vitit të kaluar në Ukrainë, Rumani, Turqi dhe Britani.
Numër më i vogël i rasteve është raportuar në Kazakistan, Rusi, Maqedoni, Gjeorgji dhe Azerbajxhan.
Sipas OBSH-së, është e nevojshme rritja e fushatave të vaksinimit në Evropë, në mënyrë që të arrihet qëllimi për eliminimin e kësaj sëmundjeje deri në vitin 2015.