Rreth 47% të qytetarëve të Prishtinës ishin të infektuar me COVID - 19
Prishtinë, 2 korrik - Në konferencën e mbajtur sot, Kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Shpend Ahmeti së bashku me drejtorin e Shëndetësisë Bujar Gashi, ka prezantuar gjetjet kryesore të tre hulumtimeve që ka realizuar Komuna e Prishtinës në lidhje me seroprevalencën me sëmundjen COVID - 19 në Prishtinë.
Me rastin e prezantimit të këtyre gjetjeve, Kryetari Ahmeti tha se rezultatet e hulumtimit vijnë pas një pune gjashtëmujore, që prej momentit kur Komuna e Prishtinës kishte bërë të ditur se do të realizojë disa hulumtime në lidhje me COVID-19.
“Unë jam i lumtur sot që mund të prezantojmë rezultatet, sepse mendojmë se hulumtimet e tilla na ndihmojnë edhe neve si Komunë e Prishtinës, por edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës, që politikat në vijim në lidhje me pandeminë të mbështeten nga këto rezultate sepse na tregojnë më saktë sa njerëz kanë kaluar COVID -in”.
Kryetari Ahmeti po ashtu ka potencuar se nuk mund të flitet ende për atë nëse kemi arritur si popullatë të fitojmë imunitetin e ashtuquajtur të tufës, meqë variantet e COVID-it po ndryshojnë dhe nuk ka përfundim të saktë mbi atë se çka mund të nënkuptojë imuniteti i tufës.
Hulumtimet e realizuara janë ndarë në tre raporte, që ofrojnë të dhënat si në vijim: rreth qytetarëve të infektuar me virusin Korona në Prishtinë, punonjësit shëndetësor të Qendrave të Mjekësisë Familjare, të infektuar me virusin Korona në Prishtinë, si dhe punonjësit e Komunës së Prishtinës të infektuar nga virusi Korona.
Tek hulumtimi në lidhje me seroprevalencën e qytetarëve, rezultatet flasin për rreth 47% të qytetarëve të Prishtinës që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 qoftë me test serologjik apo CPR. Ky hulumtim përfshin të dhënat e mbledhura përgjatë muajve maj – qershor 2021, dhe mostra e studimit ka përfshirë 1255 qytetarë.
Pavarësisht se të dhënat në lidhje me seroprevalencën tek qytetarët, tregon një rënie, Kryetari Ahmeti ka theksuar se qytetarët duhet të vazhdojnë kujdesin meqë virusi ende është prezent. Si dhe ka bërë thirrje për vaksinim.
“Vaksinimi është i domosdoshëm. Është e vërtetuar shkencërisht dhe e vërtetojnë të gjitha shtetet si nga perëndimi ashtu edhe lindja, se vaksinimi është i domosdoshëm pavarësisht se rreth 50% e kanë kaluar COVID-in. Qytetarët duhet të vazhdojnë të kenë kujdes”, ka thënë kryetari Ahmeti.
Sa i përket hulumtimit rreth seroprevalencës së punonjësve shëndetësor në Komunën e Prishtinës, del se rreth 48% e tyre kanë qenë rezultuar pozitiv me CCOVID-19, qoftë përmes testit serologjik apo CPR. Hulumtimi është realizuar përgjatë periudhës 14 tetor - 17 dhjetor 2020 dhe ka përfshirë një mostër prej 475 punëtorë shëndetësorë.
Në lidhje me të dhënat rreth punonjësve të Komunës së Prishtinës, informatat e mbledhura vetëm përmes testeve serologjike, tregojnë për 21% të punonjësve të Komunës të rezultuar pozitiv me COVID – 19.
Të dhënat janë mbledhur në periudhën 14 tetor – 17 dhjetor 2020 dhe mostra ka përfshirë 418 punëtorë të administratës së Komunës.
Duhet theksuar se punëtorët komunal, në kuadër të masave mbrojtëse kundër COVID-19 , në një fazë kanë qenë të liruar nga puna, apo kanë punuar nga distanca, si dhe Komuna është përkujdesur vazhdimisht që në fazën e kthimit në vendin e punës të përdorën të gjitha mjetet mbrojtëse si maska dhe dorëza, e mjete higjienike dhe distanca fizike.
Hulumtimet janë realizuar sipas rregullave dhe praktikave ndërkombëtare, dhe pas marrjes së lejes nga Oda e Mjekëve. Studimet janë dërguar edhe në disa botime shkencore ndërkombëtare në mënyrë që të merren inpute dhe të publikohen tutje në revista shkencore.
Raportet me gjetjet e hulumtimeve janë duke u përgatitur për botim, dhe së shpejti do të publikohen dhe shpërndahen.