Rrahmani përkrahë zhvillimin e shërbimeve diagnostike në QKUK
Prishtinë, 11 shtator - Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, i shoqëruar nga këshilltarët e tij, gjatë ditës së sotme ka vizituar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht Klinikën e Radiologjisë dhe atë të Biokimisë Mjekësore.
Ai tha se qëllimi i vizitave është njoftimi i punëtorëve shëndetësorë në lidhje me vazhdimin e zbatimit të reformës shëndetësore.
Në këtë takim, drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj, njoftoi Ministrin Rrahmani për punën që po bëhet në këto klinika, por edhe me sfidat që ballafaqohen ato.
Ka rritje të shërbimeve shëndetësore që ofrojnë këto klinika dhe është fat i mirë se aparaturat radiologjike i kemi në funksion të plotë, theksoi dr. Gjocaj.
Ndërkohë, Ministri tha se Jemi duke punuar intensivisht me grupe punuese, në lidhje me zbatimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, poashtu po punohet për ta zbatuar Sistemin e Informimit Shëndetësorë në mbi 62 institucione shëndetësorë , pastaj çështjen e specializimeve të cilat tash e tutje do të ndahen vetëm sipas kërkesave të institucioneve shëndetësore, theksoi dr. Rrahamani.
Ai premtoi mbështetjen e tij dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për të përmirësuar gjendjen në shëndetësi, duke shtuar se bashkë me drejtorin e SHSKUK-së, janë angazhuar për përmirësim të furnizimit me barna dhe material shpenzues.
Për punën që po bëhet në Klinikën e Radiologjisë, foli Serbeze Kabashi- Muçaj, drejtoreshë e kësaj klinike, e cila tha se janë të mbingarkuar me raste dhe se në këtë klinikë punohet mjaft dhe se brenda 24-orëve ka fluks të madh të pacientëve. Për sfidat, të arriturat dhe problemet folën edhe doktorët e tjerë të kësaj klinike.
Më pastaj, Ministri vizitoi edhe Klinikën e Biokimisë Mjekësore, ku nga drejtori Bislim Bislimi dhe stafi i klinikës u njoftua në lidhje me punën që po bëhet dhe me problemet kryesore.
Gjatë takimeve, ministri premtoi angazhim konkret për të përkrahur këto dy klinika me qëllim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore.
Pas takimeve, Ministri bisedoi edhe me pacientët që kishin ardhur për të kryer shërbimet shëndetësore në këto dy klinika.