Rrahmani dhe OConnell bisedojnë për bashkëpunimin në shëndetësi

Prishtinë, 14 korrik - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës Imet Rrahmani priti sot në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O Connell të cilin e njoftoi me zhvillimet aktuale në sektorin shëndetësor, projektet dhe sfidat në këtë sektor.
Ministri Rrahmani tha se sfida kryesore mbeten implementimi i sigurimeve shëndetësore, për të cilat po bënë përgatitje në nivele të ndryshme, implementimi i Sistemit të integruar të Informimit Shëndetësor, rritja e transparencës në këtë sektor dhe bashkëpunimi me shtetet kontributore, të cilat po japin mbështetjen e tyre përmes projekteve të përbashkëta në shëndetësi.
Si shtyllë të rëndësishme të reformës Ministri Rrahmani e theksoi edhe krijimin e pesë Odave të Profesionistëve shëndetësor dhe funksionalizimin e tyre , duke theksuar vendosmërinë e Ministrisë për fuqizimin e tyre dhe bartjen e përgjegjësive që do ti ushtrojnë odat, sipas Ligjit.
Në këtë takim, Ministri përmendi edhe akreditimin nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe të Programit të Specializimit të Mjekësisë Familjare të Kosovës si një sukses të madh, si dhe theksoi sfidat e shumta që i ka sektori qoftë në punësimin e mjekëve specialistë, buxhetin jo të mjaftueshëm, pamundësinë e mbulimit të plotë me barna dhe perceptimin për shëndetësinë.
Në këtë takim, si Ministri Rrahmani ashtu edhe Ambasadori O Connell ishin të mendimit që duhet të zhvillohet një koordinim edhe më i mirë midis institucioneve qeveritare dhe agjensioneve të ndryshme, në mënyrë që një sektor të mos i krijojë probleme tjetrit, por ta ndihmojë ata në adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve të ndryshme, ndërkohë që Ambasadori nga ana e tij, shprehu përkushtimin, që të mbështes Ministrin në marrjen e vendimeve të rëndësishme që do ta ndihmojnë progresin dhe reformën në sektorin shëndetësor.