Rrahmani dhe Gad, vlerësojnë projektet e realizuara në shëndetësi
Prishtinë, 4 korrik - Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani priti sot në takim lamtumirës shefen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Lajla Omar Gad.
Në këtë takim, Ministri Rrahmani ka falënderuar znj. Gad për kontributin e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë për Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet shëndetësore në hartimin e politikave dhe zbatimin e planeve që përmirësojnë shëndetin e fëmijëve dhe të adoleshentëve në Kosovë.
Në çdo plan serioz fëmijët e kanë vendin e tyre të pazëvendësueshëm dhe meritor, ndërsa investimi në fëmijë është investim për të ardhmen. Në këtë aspekt, ne e vlerësojmë bashkëpunimin dhe ndihmën e ofruar nga UNICEF-i, tha Ministri Rrahmani.
Ai tha se Ministria do ta vazhdojë bashkëpunimin e mirë me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë në projektet e filluara së bashku, që për qëllim kanë fuqizimin e shëndetit të fëmijëve.
Zonja Gad nga ana e saj u shpreh falënderuese për bashkëpunimin e mirë që ka pasur me MSH-në dhe Ministrin, për të cilin tha se ka treguar zotim, përkushtim dhe lidership në çuarjen përpara të bashkëpunimit shumë të mirë.
Unë ju shpreh zotimin e UNICEF-it për të vazhduar përkrahjen dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë, tha znj. Gad, duke theksuar se në mesin e shumë intervenimeve që ka bërë UNICEF-i me MSH-në, projekti i vizitave shtëpiake, pastaj realizimi i anketës së treguesve të shumëfishtë (MICS) dhe projekti për pasurimin e miellit, kanë qenë disa prej projekteve të suksesshme dhe me domethënie për avancimin e disa shërbimeve në Kosovë dhe përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së adoleshentëve në Kosovë.
Pas katër vjet misioni në krye të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj.Gad do ta lë Kosovën në pjesën e dytë të korrikut për të vazhduar me një mision të ri në Gjeorgji.