Rrahmani bisedon me grat e verbra për nevojat e këtij komuniteti
Prishtinë, 21 dhjetor - Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot përfaqësues të Shoqatës Komiteti i Grave të Verbëra të Kosovës, të kryesuar nga kryetarja e këtij Komiteti, znj. Bajramshahe Jetullahu.
Gjatë këtij takimi, Ministri Rrahmani është informuar për hallet e këtij komuniteti, përfshirë të dy gjinitë, nevojat e tyre në rrafshin shëndetësor dhe social, si dhe i ka njoftuar me mundësitë që ligjet e shëndetësisë, në veçanti Ligji i Sigurimeve Shëndetësore ka paraparë për këtë kategori, duke i liruar nga pagesa e kontributave dhe ofrimi i sigurimit shëndetësor të obliguar falas për ta.
Përfaqësuesit e Komitetin e Grave të Verbëra kanë shprehur disa kërkesa që kanë të bëjnë me përmirësimin e kujdesit ndaj tyre dhe përkrahjen, për të cilat Ministri Rrahmani ka shprehur mirëkuptim dhe i ka siguruar që do të angazhohet që konkretisht të zgjidhen së bashku, ndërkohë që, hiq ndonjë keqkuptim aty-këtu në ndonjë institucion shëndetësor, në takim u tha se kjo kategori i marrin shërbimet shëndetësore falas në institucionet shëndetësore.
Gjithashtu, Ministri Rrahmani ka siguruar përfaqësuesit e këtij komuniteti se do të merren parasysh interesat e tyre me rastin e hartimit të politikave shëndetësore me qëllim që të sigurohet një kujdes shëndetësor sa më gjithpërfshirës për këtë komunitet.