Rotary Club i dhuroi donacion Klinikës Pediatrike në QKUK
Prishtinë, 3 maj - Sot në Prishtinë, në Objektet e Klinikës Pediatrike në QKUK, Rotary Club Prishtina bëri dorëzimin e rreth 150 dollapëve dhe sirtareve për nevojat e pacientëve dhe familjarëve të tyre.
Vlera e përgjithshme e këtij donacioni është rreth 10,000 euro dhe është pjesë e shumës prej rreth 20 mijë eurove të cilat u grumbulluan nga kompani të ndryshme, si nëpërmes donacioneve të drejtpërdrejta poashtu edhe nga shitja e fustaneve dhe tavolinave per darkë, në një gala mbrëmje për ngritje të fondeve të organizuar nga klubi në Dhjetor të vitit të kaluar.
Kryetarja e RC Prishtina, Shpresa Perolli, falënderoi me këtë rast të gjithë ata që e mundësuan realizimin e këtij projekti dhe potencoi se ky projekt është në vazhdën e projekteve të mëhershme nga klubi ynë për këtë klinikë.
Përkushtimi ynë në përmirësimin e kushteve për pacientët e vegjël por edhe për personelin mjekësor në këtë klinikë do të vazhdojë sidomos nëpërmes projektit për krijimin e qendrës emergjente pediatrike që është duke u realizuar në partneritet me rotarianët amerikan, turk dhe kosovar.
Angazhimin në Rotary ne e bëjmë nëpërmes organizimit vullnetar jashtë aktiviteteve tona të përditshme, prandaj ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që sa herë që kanë mundësi të bëjnë diçka për komunitetin.
Të qenit rotarian nënkupton shërbimin ndaj komunitetit prandaj secili prej nesh mund të jetë rotarian dhe këtë ne mund ta bëjmë qoftë si grup, qoftë në baza individuale përfundoi ajo.
Nderkaq, Z. Robert Wright nga Raiffeisen Bank që dhuroi 5,000 euro për këtë projekt, tha se Investimi për femijë sot është një investim për të ardhmen e Kosovës.
Ai gjithashtu shtoi se synimi ynë është që të shndërrojmë kliniken Pediatrike në një qendër ku do të mund të shërohen të gjitha llojet e sëmundjeve në mënyrë që të mos ketë nevojë për dërgimin e fëmijeve jashtë vendit,.
Dr. Ramush Bejiqi, nga Klinika Pediatrike, falënderoi RC Prishtinën me rastin e pranimit të këtij donacioni dhe tha se sikur edhe ndihmat e mëhershme edhe kjo ndihmë për këtë klinikë është shumë e qëlluar.
Klinika Pediatrike është duke investuar në përmirësimin e kushteve për fëmijët që do të shtrihen këtu dhe këta dollapë të dhuruar nga Rotary Club Prishtina ishin shumë të nevojshëm sepse deri më tani prindërit nuk kanë pasur se ku ti mbajnë gjërat e veta por edhe të femijëve gjatë kohës së qëndrimit në klinikë, tha ai.
Mjetet e nevojshme për këtë projekt u realizuan në Gala Mbrëmjen e organizuar nga RC Prishtina në Dhjetor të vitit 2011.
Më saktësisht, në atë mbrëmje u dhanë donacione në të holla në vlerë prej 8830 euro, donacione me produkte në vlerë 1500 euro, nga shitja e fustaneve arriti vlera 6850 euro dhe nga blerja e tavolinave nga kompanitë e ndryshme janë grumbulluar 2 500 euro.
Kreacionet e tyre i dhuruan disejnatorët më të mirë në Kosovë: Krenare Rugova, Blerina Kllokoqi Rugova, Valdrin Sahiti, Njomza Luci, Venera Mustafa, Menakon, Vjollca Llapashtica dhe Xheraldina Rexhepi. Këto kreacione u shitën në një ankand dhe të hollat u dhuruan për fondin e Klinikës Pediatrike.
Këtë Gala mbrëmje e sponsorizuan dhe e ndihmuan edhe:
Meridian Corporation, Qumështi Vita, Hotel Emerald, Gekos, N.T.SH. Bardha, Marigona Residence, HIB Petrol, AVC Group, PR Solutions, Ferronikeli, American School of Kosova (ASK) , Exclusive Group, Kosova Motors, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (AmCham), Rotary Club Peja, Rotary Club Prishtina International, Rotary Club Ferizaj, Raiffeisen Bank Kosova, Banka Kombëtare Tregtare, Studio Forma, Trokit, Agnesa Vuthaj Association, Finese, Arta& Nagipi, Rotaract Club Prishtina, Tefik Çanga, Klan Kosova, TV21, Telegrafi, PTK, Ari Trading, USAID dhe RC Dardania.
Këtë projekt e ndihmuan edhe shumë këngëtarë dhe artistë sic janë: Vesa Luma, Johona Sopi, Denik Prizreni, Edon Ramadani, bendi i RTK-së, Fatmir Spahiu etj.