Rikthehet në punë aparati i koronarografisë dhe stentimit
Prishtinë, 10 tetor - Është rikthyer në punë aparati për koronarografi dhe stentim në Klinikën e Kardiologjisë së Qendrës Klinike Universitare.
Menjëherë pas servisimit dhe rikthimit të tij në punë, janë ftuar pacientët e parë të cilëve u është kryer koronarografia.
Brenda dite, po kryhen 5 deri në 6 koronarografi, përderisa kanë mbetur edhe një numër i pacientëve nga lista e pritjes, të cilët do të ftohen në ditët në vijim.
Të gjithë pacientët që kanë nevojë për të kryer koronarografi dhe stentim, pas referimit nga ana e kardiologut, mund të paraqiten tek kryeinfermierja e Kardiologjisë Invazive, për tu futur në listën e pacientëve që do të kryejnë shërbimin.
Servisimi i aparatit të koronarografisë është bërë me tenderin e fundit të realizuar nga QKUK, ku parashihet servisimi dhe mirëmbajtja e koronarografit, angiografit dhe pajisjve të tjera.
QKUK, përkatësisht Klinika e Kardiologjisë, përmes Barnatores Qendrore, ka bërë kërkesën e rregullt në Ministrinë e Shëndetësisë, për furnizim të rregullt me material shpenzues dhe stenta.