Ri-akreditohet programi Specialistik i Mjekësisë Familjare të Kosovës
Prishtinë, 6 korrik - Qendra për Zhvillimin e Mjekësisë Familjare në Kosovë (QZHMFK) ka marrë dje konfirmimin formal për Certifikimin e Ri- akreditimit Ndërkombëtar 3 vjeçar të Programit të Shkollimit Specialistik të Mjekësisë Familjare nga Kolegji Mbretëror i Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (Royal College of General Practioners-RCGP), program ky që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.
Konfirmimi ka ardhur nga Profesori Rich Withnall, kryesues i Panelit Akreditues Ndërkombëtar të Kolegjit Mbretëror të Mjekëve të Përgjithshëm të Britanisë së Madhe (MRCGP-INT), i cili përmes një shkrese zyrtare ka njoftuar drejtuesit e QZHMF-së se MRCGP-INT ka ri-akredituar për tre vjetët e ardhshme Programin Specialistik të Mjekësisë Familjare të Kosovës, program ky që udhëhiqet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky ri-akreditim konfirmon që QZHMFK ka arritur të zhvilloj Programin specialistik nga Mjekësia Familjare në pajtim me standardet ndërkombëtare që janë monitoruar dhe vlerësuar formalisht edhe nga ekspertët akreditues nga Britania e Madhe.
Ky rrugëtim ka filluar që më 1999 duke qenë iniciativë tërësisht lokale e mbështetur më pas nga miqtë ndërkombëtarë sikurse OBSH, DFID, etj., dhe më vonë nga Lux- Development, përderisa ky sukses madhor i këtij Programi dhe shëndetësisë kosovare, është rezultat i punës dhe angazhimit të jashtëzakonshëm për vite të tëra, në radhë të parë i trajnuesve në Mjekësi Familjare, të cilët dëshmuan profesionalizëm të lartë dhe bashkëpunim të ngushtë me ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë.
Kjo e arritur e jashtëzakonshme do të jetë faktor motivues për profesionistët kosovarë në Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe më gjerë, përderisa Programi i shkollimit specialistik në Mjekësi Familjare do të shërbejë si udhërrëfyes për reformimin e të gjitha programeve të tjera të shkollimit specialistik në Republikën e Kosovës.
Do jenë ndërkaq, qytetarët kosovarë përfituesit më të mëdhenj, duke pasuar parasysh refleksionet në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, sidomos në Kujdesin Parësor Shëndetësor, që është qëllimi kryesor i politikave të Ministrisë së Shëndetësisë.
Akreditimi i parë i këtij programi ka ndodhur në maj të vitit të kaluar dhe ka qenë për periudhën një vjeçare.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të punoj në ngritjen e nivelit të performancës së punonjësve Shëndetësor, sipas standardeve të pranuara ndërkombëtare.