02 Maj 2024

Rezultatet e projektit “Përmirësimin i shëndetit të grave dhe fëmijëve"

Prishtinë, 19 mars - Në një konferencë përmbyllëse, Aleanca Ndërkombëtare Amerikane për Shëndetësi/USAID, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në, kanë prezantuar rezultatet e projektit “Partneriteti për përmirësimin e shëndetit të grave dhe fëmijëve në Kosovës”, i zbatuar nga AIHA.

Në këtë konferencë përmbyllëse, zyrtarët më të lartë të shëndetësisë në Kosovë dhe partnerët vendorë të zbatimit të projektit e kanë vlerësuar lart kontributin e AIHA-së në përmirësimin e indikatorëve sa i përket shëndetit të nënës dhe fëmijëve në Kosovë, përmes projektit të zbatuar.

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Ferid Agani, ka falënderuar AIHA-n dhe USAID-in për kontributin në këtë projekt, duke theksuar se me mbështetjen e shëndetit të nënës dhe fëmijës, këto dy institucione amerikane kanë treguar ndjeshmëri të veçantë për nevojat shëndetësore të popullatës kosovare, në veçanti për nënat dhe fëmijët.

“Vet projekti ka shënuar një sukses të veçantë në këtë fushë dhe hapja që do të bëhet sot e Njësisë së Emergjencave Pediatrike në QKUK, do të shënojë një hap cilësor përpara  dhe do të rezultojë me një përparim në kujdesin shëndetësor të nënave dhe fëmijëve, që është një hap i rëndësishëm në kuadër të reformës shëndetësore, e cila qëllim kryesor ka sigurimin e shërbimeve cilësore shëndetësore për qytetarët e vendit”, tha Ministri Agani.

Bashkëpunimi MSH-USAID-AIHA, në realizimin e këtij projekti, theksoi më tej Ministri,  ka qenë një bashkëpunim që premton edhe në të ardhmen, pasi që ai kontribuon në zvogëlimin e vdekshmërisë së fëmijëve deri në moshën 5 vjeçare, përderisa ulja e vdekshmërisë perinatale në 12 promila, tregon se janë bërë përmirësime të mëdha në këtë fushë dhe se shëndetësia kosovarë është në situatë që të kalojë në indikatorët evropianë sa i përket uljes së vdekshmërisë së nënave  dhe fëmijëve.

Dr. Njazi Gashi, drejtor ekzekutiv i QKUK-së tha se gjatë kësaj periudhe QKUK dhe MSH-ja po shënojnë rezultate gjigante, disa prej të cilave , tha ai, kanë qenë të paimagjinueshme më parë.

“Aftësimi i plotë i Klinikës së Onkologjisë për të ofruar kimioterapinë dhe radioterapinë kurative, themelimi dhe fillimi i Kardiokirurgjisë dhe themelimi i Emergjencave Pediatrike në QKUK, janë rezultate që po e kompletojnë gamën e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e Kosovës”, tha drejtori Gashi.

James P. Smith, drejtor ekzekutiv i AIHA (Uashington), tha se ndihet i lumtur që projekti po përmbyllet me sukses bashkë me partnerët e AIHA-s, dhe rikujtoi se projektet e para të kësaj organizate në Kosovë kishin nisur më 2002. Ai tha se takimi i sotëm kishte tre qëllime: që t’i takojë hisedarët në zbatimin e këtij projekti për të diskutuar për projektin e realizuar; për t’i diskutuar marrëdhëniet midis hisedarëve dhe punëve që duhet të kryhen në të ardhmen në vazhdim nga MSh-ja në fushën e mbrojtjes së shëndetit të nënave dhe fëmijëve, dhe të diskutojnë zhvillimin e strategjive të përbashkëta që do të ndikojnë në hapat e ardhshëm.

Ai ka shprehur një falënderim për MSH-në, QKUK-në, Drejtoratin Komunal të Prishtinës për Shëndetësi, Rotari Klubet nga Prishtina, Dardania e Ferizaj, Turqi dhe Livermore SHBA & Assist International, OJQ-të lokale, të cilat gjithë së bashku kanë punuar në zbatimin e projektit.

Pasi ka elaboruar edhe fokusin e angazhimeve të ardhshme, Z. James Smith ka bërë një përmbledhje të projektit në shifra, e cila duke përfshirë trajnimet, zhvillimin e shkathtësive të profesionistëve shëndetësor, ndihmat në pajisje, pjesëmarrjen në komitetet dhe grupet përbashkëta të punës me MSH-në dhe aktorët e tjerë..., kapin vlerën në rreth 5 milionë dollarë amerikanë.

Në këtë konferencë, përmes prezantimeve të ndryshme profesionistët shëndetësor kosovarë kanë ndarë përvojat e tyre gjatë zhvillimit të projektit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)