Rajoni i Mitrovicës ndjehet i diskriminuar në aspektin shëndetësor
Mitrovicë, 3 tetor - Zyrtarët komunalë të rajonit te Mitrovicës vlerësojnë se numri prej 26 kandidatësh për specializim që ka përzgjedhur Ministria e Shëndetësisë për rajonin e Mitrovicës përbën diskriminim.
Ata reagojnë duke thënë se asnjëherë prej përfundimit të luftës shëndetësia e rajonit të Mitrovicës nuk është trajtuar siç duhet, përkundër problemeve të mëdha me të cilat është përballur dhe për të cilat ata janë njoftuar me kohë.
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë, Shaqir Demiri, tha se kanë pritur dhe kanë pasur shpresë më të madhe nga MSH, mirëpo janë zhgënjyer.
Kemi pasur premtime të mëdha se situata do të ndryshoj për të mirë, por nuk ka ndodhur.
Ai theksoi se në vitin e kaluar kanë bërë kërkesë për të ndarë 29 specializime për nevojat e spitalit rajonal Sami Haxhibeqiri në Mitrovicë me kandidatë nga rajoni i Mitrovicës, për çka edhe kanë pasur premtime të mëdha.
Kemi pritur një vit për këtë dhe në fund janë pranuar vetëm 26 kandidatë, prej tyre katër janë me rekomandim të MSH dhe jo nga lista zyrtare e kryetarëve të komunave të rajonit të Mitrovicës.
Megjithatë këtë, thotë ai, edhe numri prej 26 specializantëve nuk është pranuar në tërësi. Sipas tij, 7 prej tyre nuk kanë mundur ti marrin kontratat për fillimin e specializimit me 1 tetor të këtij viti, megjithë njoftimin zyrtar.
Demiri tha se MSH për vitin 2012 në nivel të Republikës së Kosovës ka ndarë 485 specializime, prej të cilave për rajonin e Mitrovicës 26 sosh ose në përqindje 5.36 përqind.
Ky është një tregues se Mitrovica nuk është trajtuar me prioritet, madje është diskriminuar.
Ai tha se injorimi i problemeve në shëndetësinë e Mitrovicës ka bërë që me gjithë spitalin e ri që është ndërtuar, shërbimet të jenë të kufizuara në mungesë të kuadrove mjekësore.
Duke qenë se problemi kadrovik për funksionalizimin e spitalit rajonal në Mitrovicë mbetet alarmant, kryetarët e tri komunave të rajonit, Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë, kërkojnë që përveç 26 specializimeve të para të ndahen edhe 16 specializime të tjera
Ai thotë se nëse kjo nuk ndodh, funksionalizimi i plotë i spitalit rajonal nuk do të mund as të imagjinohet.