Qytetarët nuk duhet të paguajnë për testin covid, është përgjegjësi e shtetit!
Prishtinë, 13 gusht - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka vlerësuar se shëndeti i qytetarëve të Kosovës seriozisht po rrezikohet nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19.
"Kemi një përshkallëzim të rasteve të të infektuarve sikur, që për KMDLNj paraqet shqetësim të madh numri i të sëmurve që përfundojnë me fatalitet është rritur jashtëzakonisht shumë", thekson KMDLNJ.
Këto trende në vend se të shënojnë rënie, vetëm sa janë rritur. Në rrethana të krijuara, Kosova, si vatër e madhe e përhapjes së pandemisë është izoluar thuaja nga të gjitha shtetet e rajonit dhe më gjerë.
Vetëm deri më tani, Kosova me pasojat ia ka kaluar bindshëm të gjitha vendeve fqinje dhe është në majat e listave botërore.
Qytetarët e Kosovës që për arsye të ndryshme detyrohen të lëvizin jashtë duhet ta kenë dëshminë e testit Covid-19 të 48 orëve të fundit e që pjesa dërrmuese nuk e kanë këtë mundësi.
Për KMDLNj- është me rëndësi dhe detyrim nga mandati që e ka të angazhohet që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të bëjnë testin COVID-19, pa pagesë, si e drejtë e njeriut dhe si masë parandaluese, si për të prekurin eventual ashtu edhe si mbrojte për të tjerët që kanë kontakt me të infektuarin. Kosova, për shkaqe objektive dhe subjekteve ka bërë më së paku teste në rajon.
Tash, është rritur kapaciteti për testim, sidomos me licencimin e laboratoreve private e që KMDLNj -ë, në mungesë të transparences, nuk i ka të qarta kriteret në bazë të cilave është dhënë licenca.
Rritjen e kapaciteteve për testim, KMDLNj e sheh si të domosdoshme dhe pozitive për qytetarët e Kosovës mirëpo kërkon një mbikëqyrje serioze, ndryshe ekziston rreziku real për një korrupsion pandemik.
KMDLNj kundërshton çmimet e caktuara si të papërballueshme për shumicën e qytetarëve të Kosovës aq më parë që kemi thellim të krizës ekonomike me ç'rast një numër i madhe varet nga asistenca sociale dhe nga pakoja emergjente.
Krijimi i kushteve për testim në raste kur dyshohet për infektim me COVID-19, është përgjegjësi e shtetit përjashtuar rastet kur të testuarit e bëjnë testin për qëllime turistike, të bërit biznes e që nuk kanë asnjë problem të natyrës financiare.
Subvencionimi i shtetit prej 18 % siç ka deklaruar ministri Zemaj, nëse bëhet në mënyrë lineare për KMDLNj është e papranueshme, diskriminim flagrant, mosdashje për luftim të pandemisë dhe varfërim të popullatës.
KMDLNj propozon që kategoritë sociale, grupet e margjinalizuara, ata që kanë mbetur pa punë dhe të gjithë të tjerët që nuk kanë mundësi të paguajnë, duhet të lirohen nga çdo pagesë kurse ata që kanë të ardhura të rregullta duhet të participojnë jo më shumë se 30 %.
KMDLNj kërkon të krijohet një ekip monitorues që do të përcjellë punën e laboratoreve private dikur edhe listat e atyre që u bëhet testi në institucionet publike për t'u eliminuar çdo diskriminim e që nuk është bërë deri më tani aq më parë që kemi pasur diskriminim flagrant ku testet janë bërë prioritet në bazë të statusit në shoqëri e jo për shkak të nevojave pë parandalim dhe luftim të pandemisë.