QMF e Podujevës në grevë për 44 eurot e premtuara
Podujevë, 6 tetor - Me qëllim të arritjes të së drejtës në realizimin e shtesës në pagë prej 44 eurove për vitin 2009, punëtorët shëndetësor të QMF-ve të komunës së Podujevës, të organizuar nën ombrellën e Sindikatës së QMF-Podujevë, vazhduan edhe sot grevën e tyre.
Këshilli grevistë, edhe pas tentimeve për ndërtimin e dialogut social të mbështetur në frymën e mirëkuptimit, nuk arritën që pas takimit me kryetarin e Komunës së Podujevës të lidhin një marrëveshje mbi kthimin e borxheve të komunës ndaj punëtorëve shëndetësor.
Të pakënaqur me premtime gojore dhe mos arritjen e një marrëveshje me shkrim me kryetarin e Komunës së Podujevës, Këshilli Grevistë vendosi që të vazhdon grevën në të gjitha njësit e QMF-ve të Podujevës, deri në realizimin e një marrëveshjeje me shkrim, me të cilën do të garantohej zbatimi i plotë i detyrimit ekzistues ndaj punëtorëve shëndetësor të kësaj komune.
Me këtë rast, në shenjë të përkrahjes për punëtorët shëndetësor të Komunës së Podujevës, që të dy nënkryetarët e FSSHK-së, Blerim Delija dhe Naim Makolli, vizituan grevistët e QMF-ve të Podujevës dhe shprehën përkrahjen e plotë të Federatës për masat e tyre sindikale, deri në realizimin e kërkesave të tyre legjitime.