QKUK: Vazhdon mjekimi i pesë të aksidentuarve në trafik
Prishtinë, 21 shtator - Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) njofton se është duke vazhduar mjekimi i pesë pacientëve të pranuar mbrëmë si pasojë e aksidentit të trafikut, përderisa 6 të aksidentuarit e tjerë pasi që kanë kryer të gjitha ekzaminimet mjekësore janë lëshuar për në shtëpi.
Aktualisht në Klinikën e Ortopedisë janë duke u trajtuar 4 pacientë, H. S (1934) F.H(1958) R. B (1980) A. D (1086). Përderisa në Klinikën Emergjente ende po vazhdon mjekimi i pacientes H. G(1986).
Klinika Emergjente njofton opinionin se përkundër mbingarkesës që ka pasur natën e mbrëmshme, ndihma mjekësore u është ofruar të gjithë të aksidentuarve duke kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore.
Në bazë të planit për emergjenca të QKUK-së në rastet kur Klinika Emergjente ka mbingarkesë, rastet pranohen edhe në hapësirat e tjera të QKUK-së ku angazhohet edhe stafi tjetër kujdestar dhe ai në gatishmëri.
QKUK kërkon nga mediet më shumë korrektësi dhe në rastet e tilla të kontaktohen përgjegjësit e informimit sikurse në rastin e kontaktimit të Policisë së Kosovës.