QKUK, trajtohet një paciente me gripin H1N1
Qendra Kombëtare e Gripit në kuadër të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike e Kosovës, e ka konfirmuar rastin.
37 vjeçarja e prekur nga virusi H1 N1 vazhdon të jetë në gjendje të rënd shëndetësore. Gjatë ditës ajo do të transferohet në Klinikën Infektive për trajtim të mëtutjeshëm.
Pacientja 37 vjeçare e prekur nga virusi i gripit të derrit është në gjendje të rënd shëndetësore. Gjatë ditës ajo pritet të transferohet nga Mjekimi Intensiv Qendror në Klinikën Infektive, bënë të ditur zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Shpend Fazliu.
Është ripërsëritur analiza në laboratorin e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe fatkeqësisht ka rezultuar pozitive në virusin H1 N1. Tash për tash ajo është duke u trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror dhe pritet të transferohet gjatë ditës në Klinikën Infektive ku do të vazhdojnë trajtimin, ka theksuar ai.
Falziu ka thënë se Qendra Klinike Universitare është e pajisur me dozë të Tamiflus derisa familjarët janë të detyruar të blejnë terapinë përcjellëse imunitare.
Pacientja fillimisht është trajtuar në Klinikën e Mushkërive me simptoma të gripit të rëndomtë. Pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ajo u transferua në Kujdesin Intensiv Qendror ku i janë bërë analizat e detajuara, rezultatet e të cilave tri herë radhazi treguan se pacientja është prekur nga virusi H1 N1.
Kurse, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani jep më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje.
Në laboratorët e IKSHP-së, dje është konfirmuar rasti i parë i gripit AH1N1e që tashmë është një virus i zakonshëm dhe virus sezonal, te një paciente e hospitalizuar në mjekimin intensiv në QKUK. Rasti i sotëm në anketën e detajuar nuk ka ndonjë lidhshmëri epidemiologjike që pacienti ka udhëtuar jashtë vendit dhe ka sjellë virusin.
Por, situata epidemiologjike është nën mbikëqyrje të plotë duke, e pasur parasysh që jemi në sezonin real të gripit sezonal dhe ne rekomandojmë te qytetarët që ti shmangen vendet e mbyllura të paajrosura, shprehet Ramadani.
Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës janë në gjendje gatishmërie për tu përballur me raste eventuale të virusit AH1N1.
Këtë e thotë edhe udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skender Syla.
Institucionet shëndetësore në vitet paraprake kanë bërë përgatitjet e duhura në mënyrë që sistemi shëndetësor të jetë i gatshëm për tu përballuar me forma të gripit duke përfshirë edhe atë AH1N1. Andaj mendoj se institucionet shëndetësore për nga aspekti i menaxhimit dhe pajisjeve kanë potencial të përballimit të rasteve të cilat do të mund të paraqiten, thotë Syla.
Ndërkaq udhëheqësi i IKSHP-së, Naser Ramadani, rekomandon që qytetarët të vaksinohen kundër gripit sezonal.
Tashmë kemi rekomanduar që të vaksinohen qytetarët sepse ka mjaft vaksina të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare dhe rekomandojmë te qytetarët që të përdorin më shumë vitamina dhe ushqim kalorik.
Sidoqoftë, infektologët në vend shpjegojnë se simptomat e këtij virusi janë pothuajse të njëjta me gripin e zakonshëm.