QKUK shpërndan në klinika donacioni në vlerë 600.000 euro
Prishtinë, 11qershor - Qendra Klinike Universitare e Kosovës ( QKUK) ka kompletuar shpërndarjen e donacionit në vlerë 600.000 euro, të dhuruar nga Shoqata Evropiane e Motoçiklistëve.
Donacioni është shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së, kurse shpërndarjen e ka bërë komisioni i formuarar nga ana e drejtorit ekzekutiv të QKUK-së. Donacioni përmbante shtretër për raste specifike, dyshekë, dollapë për vendosje afër shtretërve të pacientëve, aparatura për Institutin e Biokimisë, autoklavë, aparat për analiza të gjakut, ergometër, aparate rëntgeni, instrumente për operacione dhe pajisje të tjera medicinale dhe teknike që janë shumë të mirëseardhura për QKUK.
Për dhurimin e këtij donacioni, janë angazhuar Ministria e Punëve të Jashtme, përkatësisht, ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Vilson Mirdita dhe zyrtarë të tjerë, për çka klinikat e QKUK-së, u janë shumë mirënjohës.
Njoftojmë opinionin, se shkrimet e plasuar në disa media, kinse janë dhuruar reagensë me afat të skaduar nga KFOR-i gjerman janë shpifje, meqë fare nuk ka pasur donacion nga KFOR-i gjerman. Në listën e donacionit prej 600.000 eurove, fare nuk ka pasur reagensë. Shpifjet e tilla, e dëmtojnë seriozisht institucionin e vetëm publik që ofron shërbime shëndetësore të nivelit terciar dhe orientojnë pacientët drejt ordinancave private për të paguar para të majme, duke shkatërruar shërbimin publik.