QKUK: shpërblehen punëtorët e vitit
Prishtinë, 28 dhjetor - Sot, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është mbajtur ceremonia e shpërndarjes së mirënjohjeve për punëtorët e dalluar të vitit, po ashtu, mirënjohje kanë marrë edhe 3 klinika për punën e dalluar gjatë vitit 2010.
Me këtë rast, një fjalë rasti, e mbajti Ud. Drejtorit Ekzekutiv, dr Lulzim Emini, i cili para punëtorëve shpalosi në mënyrë statistikore punën e bërë gjatë vitit 2010 nga punëtorët e QKUK-së.
Ai falënderoi gjithë punëtorët e QKUK-së, që falë ndihmës dhe kontributit të tyre, është arritur që me sukses të kryhen vizitat ambulantore, operacione, kontrollet dhe ekzaminimet e tjera.
Me këtë rast, mirënjohje u ndanë 23 mjekëve të klinikave të ndryshme të QKUK-së, 23 infermiereve, 5 punëtorëve nga stafi jo shëndetësor, përderisa u shpërblyen edhe 3 klinikat më të dalluara për vitin 2010.
Për punën e dalluar, u shpërblye, Qendra Emergjente, Klinika e Pediatrisë dhe Klinika e Anestezionit dhe Mjekimit Intensiv.