QKUK: Së shpejti fillon vendosja e stendave
Prishtinë, 24 mars - Në Repartin e Kardiologjisë Invazive në Klinikën Interne të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK) deri tani janë kryer 400 koronarografi. Tani, ritmi i punës në këtë Repart është shtuar dukshëm, nga 2-3 koronarografi që kryheshin brenda dite, tash kryhen 5-6 koronarografi.
Pas shtimit të ritmit të punës, dukshëm është zvogëluar lista e pritjes për pacientët. Në listat e pritjes kanë qenë afër 1.000 pacientë, kurse tani janë vetëm 314 pacientë, përderisa planifikohet që brenda 2-3 muajve në tërësi të kryhen rastet.
Në muajin e ardhshëm për herë të parë në QKUK, pritet të filloj vënia e stendave në koronarografi. Ndërhyrjen do ta bëjnë ekspertët e Klinikës Interne.
Materiali për vendosjen e stendave është siguruar për 150 rastet e para. Deri tani nuk ka pasur komplikime të gjendjes shëndetësore tek pacientët që kanë kryer koronarografinë në QKUK.
Aktualisht, në Klinikën Interne 7 specialistë me përvojë kryejnë koronarografitë, kurse atyre u ndihmojnë 4 infermiere të trajnuar për këtë punë.