QKUK, mjekët suedez kryejnë 13 operacione të komplikuara
Prishtinë, 17 prill - Një ekip i mjekëve nga Klinika Universitare e Lishopingut të Suedisë gjatë kësaj jave ka kryer disa operacione të komplikuara në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve dhe Klinikën e Kirurgjisë Plastike.
Intervenimet janë kryer në bashkëpunim me mjekët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Ekipi nën udhëheqjen e prof. Sven Mattson, ka kryer 5 intervenime të komplikuara cistoskopike në Klinikën e Kirurgjisë Pediatrike, vlera financiare e të cilave sillet rreth 20.000 euro, po ashtu, kanë dhuruar edhe kateterat e nevojshëm për operacion vlera të cilës është rreth 6.000 euro.
Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, janë kryer 8 intervenime, 2 prej tyre të komplikuara, ekipin e ka udhëhequr Prof. Erki Tapila, me asistim të mjekëve të kirurgjisë plastike.
Mjekët nga Suedia kanë dhuruar disa paisje në formë të donacionit për Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve, përderisa më herët kishin dhuruar donacion edhe për Kirurgjinë Plastike.
Bashkëpunimi ndërmjet dy palëve do të vazhdojë edhe më tutje, qoftë përmes trajnimit të stafit, apo kryerjes së operacioneve të komplikuara.