QKUK me shërbim të ri për trajtimin e rasteve urgjente neurologjike
Prishtinë, 6 gusht - Në Klinikën e Neurologjisë kanë filluar punimet për rinovimin dhe modernizimin e hapësirave për pacientë.
Këtë klinikë e ka vizituar drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), dr. Basri Sejdiu, i cili për së afërmi është njoftuar në lidhje me punën, që po bëhet për rinovim të hapësirave.
Ai i ka bërë të ditur stafit të kësaj klinike, se, në kuadër të projektit për modernizim të hapësirave të klinikave të QKUK-së, pritet që të krijohet shërbimi i ri për trajtimin e rasteve urgjente neurologjike, të njohura si sulme iskemike të trurit (ICV), e që do të bëhen të mundura me krijimin e “Stroke Center”.
Në këtë qendër do të vendoset edhe Rezonanca e re Magnetike dhe Tomografia e Kompjuterizuar (CT), e që përveç që do të shërbejnë për trajtim të rasteve urgjente neurologjike, do të mundësojnë që listat e pritjes për këto shërbime të zvogëlohen dukshëm.
Drejtori Sejdiu njoftoi se në Klinikën e Neurologjisë do të bëhet ndarja e pacientëve ambulatorë nga ata spitalorë, ngase ambulancat specialistike do të funksionojnë ndaras nga pjesa spitalore.
Poashtu, do të krijohet recepsioni, në të cilin do të paraqiten, regjistrohen dhe drejtohen pacientët. Projekti parasheh edhe rinovimin e mjekimit intensiv dhe krijimin e kushteve moderne për pacientë.