QKUK me çmimore në favor të klinikave private
Çmimet e disa shërbimeve do të jenë disa herë më të larta se në klinikat private. Kjo qendër spitalore ka bërë një çmimore të cilën e ka quajtur definitive, me të cilën janë normuar për së dyti materiali shpenzues dhe shërbimet, shkruan sot Koha Ditore.
Nga të dhënat që ka siguruar gazeta ka dallime astronomike mes çmimeve aktuale dhe çmimeve që planifikohen të normohen. Por përveç kësaj kjo qendër po planifikon që të blejë edhe materialin shpenzues më shtrenjtë sesa materiali që shitet në barnatore.
Kësisoj QKUK-ja do të paguajë për 1 litër dezinfektues (Anti-Bakterial) 14.90 euro. Gazeta ka siguruar edhe disa llagerë (çmimore) të depove private për furnizim me produkte shëndetësore për barnatore.
Në të gjitha këto çmimore nuk ka asnjë dezinfektant me çmimin më të lartë se 3.38 euro për 500 mililitra. Sipas kësaj çmimoreje QKUK-ja do të paguajë për produktin e njëjtë tetë euro më shumë. Gazeta i ka shikuar çmimet edhe në barnatore private. Një dezinfektant sasi prej 500 mililitrash kushton nga 3.80-4.80.
/Koha Ditore/