QKUK: Lëshohet në punë shërbimi i Radioterapisë
Prishtinë, 4 mars - Sot, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është lëshuar në punë shërbimi i radioterapisë, i cili tash e tutje do të ofrojë shërbime për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për të gjitha llojet e rrezatimeve.
Me këtë rast, Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Ferid Agani, tha se pas 13 vjetëve, po arrihet të lëshohet në punë ky shërbim i rëndësishëm për gjithë qytetarët e Kosovës, duke kompletuar në tërësi shërbimet në Institutin e Onkologjisë, përderisa kjo po bëhet falë punës dhe angazhimit të Ministrisë së Shëndetësisë, QKUK-së dhe punëtorëve shëndetësorë.
Jam optimist se do të ngrisim cilësinë dhe do ta lehtësojmë trajtimin e pacientëve tanë, jemi të përkushtuar dhe po punojmë vazhdimisht që këto shërbime të jenë të përditshme dhe pacientët mos të referohen jashtë venditheksoi Ministri Agani.
Ai shpjegoi se Ministria e Shëndetësisë, përmes konkursit publik, ka pranuar në punë specialistë të rinj të onkologjisë në mënyrë që Instituti Onkologjik, të kompletohet në tërësi me staf. Ministri Agani, bëri të ditur, se së shpejti pritet të lëshohet në punë edhe Shërbimi i Kardiokirurgjisë.
Dr. Behxhet Osmani, UD. Drejtor i Institutit të Onkologjisë, theksoi se stafi i Institutit është i përgatitur për trajtim të rasteve kurative. Deri tani kemi 4 pacientë, presim edhe pacientë të tjerë, përderisa puna do të organizohet në dy ndërrime, rastet do të trajtohen çdo ditë dhe nuk do të ketë nevojë për referim të tyre jashtë vendi, pohoi ai.
Në anën tjetër, Dr. Sonja Blakaj, radioterapeute, tha se stafi i shërbimit të radioterapisë është i përgatitur ti ofrojë këto shërbime dhe aparatura është e përgatitur.
Disa herë janë bërë matje të objektit dhe nuk ka rrezatim të lartë, pritet të sigurohet së shpejti edhe aparatura që do bëjë matjen ditore të rrezatimit, përfundoj Dr. Blakaj.
Gjatë ditës së sotme, radioterapia kurative është kryer tek një paciente, përderisa gjatë ditëve në vijim do të vazhdohet me radioterapi për rastet tjera.