QKUK kundër spitaleve private në oborr të saj
Prishtinë, 28 shkurt - Menaxhmenti i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i është bashkëngjitur me kërkesa Sindikatës së Punëtorëve të QKUK-së, të cilët po kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë të mos ndryshojnë ligjin në lidhje me distancën prej 1.5 kilometrash mes spitaleve publike dhe atyre private.
Ky institucion gjatë javës me dy shkresa të ndara u është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë, kryeministrit dhe presidentes. Njëra shkresë është e drejtorit të QKUK-së, ndërsa në shkresën tjetër janë nënshkruar pothuajse të gjithë drejtorët e klinikave të QKUK-së.
Ministria e Shëndetësisë thotë se çështja e këtyre spitaleve varet nga një vendim i Qeverisë. Ndërsa Qeveria ka heshtur karshi kërkesave të Sindikatës së Punëtorëve në QKUK dhe menaxhmentit, të cilët nuk po pranojnë që spitalet private të ndërtohen në afërsi të QKUK-së.
Drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj, përmes shkresës të cilën e posedon gazeta, ka kërkuar nga MSh-ja që të mos ndryshohet ligji i cili rregullon distancën në mes spitaleve private dhe atyre publike.
/Koha Ditore/