QKUK është pasuri nacionale dhe jo pronë e një partie
Prishtinë, 24 qershor - Aleanca për ardhmërinë e Kosovës e ka përcjellë me vëmendje situatën e re në shëndetësi, të krijuar pas vendimit të ministrit të Shëndetësisë të Republikës së Kosovës, për suspendimin e z. Ali Sadria nga posti i drejtorit ekzekutiv të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
AAK e vlerëson këtë akt edhe si një dëshmi se kjo qeveri nuk ka as ide dhe as kapacitete të nevojshme për të zgjidhur situatën e rëndë në të cilën gjendet shëndetësia.
\"Implikimet e strukturave të larta politike të partive ne pushtet, në marrjen e vendimit për suspendim dhe arsyetimi zyrtar se shkarkimi po bëhet për shkak të dallimeve ideore në mes të ministrit Bukoshi dhe drejtorit Sadria, si dhe dyshimet e ngritura se arsye mund të jenë edhe suspendimet e disa ish-zyrtarëve të QKUK-së, shpronësimet e pasurive të këtij institucioni dhe vendosmëria e drejtorit Sadria për ti zbuluar keqbërësit, definitivisht tregojnë se këto ndryshime nuk kanë të bëjnë me përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në QKUK, por janë çështje e lojaliteteve të lëkundura dhe demonstrimit të fuqisë.\"
Për AAK-në kjo është e papranueshme. Qendra Klinike Universitare është pasuri nacionale. Ajo nuk është pronë e vetëm një partie ose e vetëm një qeverie dhe nuk guxon të jetë rob i aftësisë së tyre për ta udhëhequr.
Prandaj, AAK fton ministrin Bukoshi që të ngrit një forcë punuese, me bazë të gjerë, që do të punojë në projektin zhvillimor për QKUK-në. Bazë e këtij projekti duhet të jenë pavarësia e plotë financiare dhe menaxheriale, ndarja e shërbimeve sekondare nga shërbimet terciare dhe riorganizimi funksional i njësive të saj.
Këtë koncept të përpunuar në projektin me emër Qendra e Re Klinike Universitare e Kosovës, Grupi i Ekspertëe të AAK-së për Shëndetësi e ka bërë publike disa herë dhe do të ishte i gatshëm ta paraqesë edhe para një grupi të tillë, si mundësi për ta nxjerrë shëndetësinë kosovare nga kolapsi në të cilin e kanë futur padrejtësitë politikat e gabuara qeveritare për shëndetësinë.