QKUK e dështoi donacionin e barnave prej gjysmë milioni euro
Prishtinë, 5 shtator - Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) e ka injoruar vitin e kaluar një donacion barnash në vlerë prej gjysmë milioni eurosh të kompanisë amerikane PFIZER që i dedikohej Klinikës së Pediatrisë.
Menaxhmenti i QKUK-së as që i ka kthyer përgjigje donatorit për ofertën. Disa muaj pas dështimit të donacionit, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender në vlerë prej 300 mijë eurosh për të blerë të njëjtat barna. Tenderin e ka fituar kompania Meditech.
Kompania farmaceutike PFIZER planifikonte që me donacionin prej 500 mijë eurove të mbulonte nevojat me preparatin somatotropinë që përdoret për fëmijët të cilët kanë ngecje në rritje. Në kohën kur QKUK-ja e ka injoruar këtë donacion, Klinika e Pediatrisë i ka lënë për tre muaj fëmijët pa ampula somatotropinë.
Në mungesë të tyre prindërit qenë detyruar ta blinin këtë preparat në barnatore private. Çmimi për një ampulë të këtij lloj bari në vitin 2014 ka qenë rreth 130 euro.
Koha Ditore ka siguruar korrespodencën e ndërmjetësuesit të donatorit PFIZER me Ministrinë e Shëndetësisë dhe QKUK-në.
Nga këta emaila shihet se tre persona të cilët janë kontaktuar nga Milaim Abdullahu, ndërmjetësues i donacionit Pfizer nuk kanë kthyer përgjigje kurrë, madje as një letër me të cilën do të dëshmohej se ky donacion bën pjesë në barnat që përdor QKUK-ja.
Një letër pranimi nga QKUK-ja është e domosdoshme që donacioni të hyjë në vend.
/Koha Ditore/