QKUK blen barna gati dyfish më të shtrenjta se çmimi real i tyre

Prishtinë, 21 korrik - Mjekët e Qendrës Klinike Universitare (QKUK) porosisin barna që janë të shtrenjta e që nuk janë të domosdoshme për pacientët.
Është Barnatorja qendrore që është ankuar për porosi të madhe për barnat Bostenan, Daptomicin dhe Fingolimod, dy prej të cilave QKUK-ja do ti blejë dyfish më shtrenjtë sesa çmimi real.
Për Bostenan do të paguajë 39 euro, e që në vendet e tjera paguajnë rreth 19 euro, ndërsa për Daptomicin do të paguajë rreth 85 euro, në vend të 45 eurove, shkruan sot Koha Ditore.
Numri i madh i kërkesave nga mjekët e tri klinikave ka bërë që QKUK-ja të hapë tender për këto barna, ndonëse për to ka zëvendësim dhe me çmime shumë të lira.
Gazeta ka siguruar një dokument të brendshëm të QKUK-së, në të cilin përshkruhet se si mjekët e tri klinikave kanë porositur shumë nga këto lloje të barnave me kosto të lartë. Barnatorja qendrore ka ankesa për porosi të madhe për barnat Bostenan, Daptomicin dhe Fingolimod.