Qeveria vazhdon deri me 6 prill vendimet për masat e marra kundër koronavirusit
Prishtinë, 28 mars - Me kërkesë të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë është zhvilluar sot mbledhja korresponduese në të cilën është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndërmarrjen e masave shtesë për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar kabinetin qeveritar se me qëllim të parandalimit dhe kontrollit të përhapjes së Corona Virusit që shkakton sëmundjen COVID-19, dhe duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, ka kërkuar që të mbeten në fuqi deri më 6 prill 2020 këto vendime:
1. Vendimi Nr.01/07 i datës 11.03.2020 (i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin 01/16 të datës 26 mars 2020)
2. Vendimi Nr. 01/09 i datës 13.03.2020
3. Vendimi Nr. 01/10 i datës 14.03.2020
4. Vendimi Nr. 01/11 i datës 15.03.2020
5. Vendimi Nr. 01/15 i datës 23.03.2020 (i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin Nr. 02/17 të datës 27 mars 2020)
Ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, jo më vonë se 3 prill 2020, vendimet e mësipërme i rishqyrton, në konsultim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ekspertë dhe ministritë tjera të linjës, për të vlerësuar efikasitetin dhe domosdoshmërinë e masave të përcaktuara, si dhe i jep rekomandim Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me vazhdimin ose jo të vendimeve përkatëse.
Situatën epidemiologjike, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë do ta ri-analizojë çdo ditë dhe në lidhje me secilin vendim të lartcekur dhe pas konsultave paraprake, mund t'i rekomandojë Qeverisë: mbetjen në fuqi të Vendimit, ndryshimin apo plotësimin e masave të përcaktuara me Vendim ose shfuqizimin e Vendimit.
Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi.