Qeveria rrit buxhetin për barna
Prishtinë, 24 dhjetor - Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Financave, Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, ia ka prezantuar kursimet buxhetore që i ka bërë në projektbuxhetin e vitit 2015, të cilat janë miratuar në tërësi.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kursej 14.5 milionë euro, nga kategoritë: blerja e veturave për të gjitha agjencitë buxhetore; blerja e kompjuterëve / laptopëve, telefonave mobil, pajisjeve të tjera të ngjashme, si dhe nga disa projekte për të cilat nuk janë bërë përgatitjet e duhura për të filluar së zbatuari në vitin 2015.
Kjo shumë, 14.5 milionë euro, do të shpërndahet për rritjen e buxhetit për: blerjen e barnave esenciale, në përputhje me premtimin e Qeverisë për furnizim të plotë me barna esenciale; për trajtim shëndetësorë jashtë institucioneve publike, dhe një pjesë e madhe e kësaj shume do të dedikohet për pagesën e përvojës së punës për 0.5 për qind të pagës për çdo vit përvojë pune për të gjithë ata që marrin pagë nga buxheti shtetëror.
Ministria e Financave falënderon anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa për përkrahjen e plotë që i dha amendamenteve të prezantuara nga Qeveria e Kosovës.