Qeveria miraton masat për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit
Prishtinë, 18 gusht - Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e 27-të me radhë gjatë të cilës ka miratuar tre vendime.
Në këtë mbledhje u miratua vendimi për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19, të cilat mund t’i gjeni të plota në dokumentin e bashkëngjitur.
Bazuar në të dhënat aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimet e IKShPK - së, Qeveria ka balancuar interesin e ruajtjes së shëndetit publik dhe interesit ekonomik, duke marrë masa të cilat në njërën anë mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik, ndërsa në anën tjetër kontrollojnë dhe parandalojnë shpërndarjen e COVID-19.
Masat e ndërmarra përmes këtij vendimi nuk përcaktojnë, në asnjë rast obligimin e vaksinimit të detyrueshëm, duke qenë se kufizimet e vendosura ndaj publikut mund të përmbushen me paraqitjen e dëshmisë së statusit të vaksinimit, të rezultatit të një testimi që arrin në përfundimin se personi nuk është i infektuar me COVID-19, ose se personi është shëruar nga COVID-19 dhe ka antitrupa të mjaftueshëm.
Me tej, në mbledhjen e sotme të Qeverisë, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për zgjatjen e mandatit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, z. Naim Bardiqi edhe për katër (4) vjet.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë sot edhe kërkesa e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhimin e përkohshëm të 1,116 (njëmijë e njëqind e gjashtëmbëdhjetë) profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës për menaxhimin e pandemisë dhe përkrahjen e procesit të vaksinimit kundër COVID-19, për tre muaj, me mundësi të vazhdimit edhe për tre muaj tjerë shtesë (MFPT), në shumë totale prej 3,192,854 € (tre milionë e njëqind e nëntëdhjetë e dy mijë e tetëqind e pesëdhjetë e katër euro).
â
â