24 Dhjetor 2024

Qeveria miraton masa të reja për parandalimin e pandemisë COVID-19

Prishtinë, 1 korrik - E drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën ka miratuar vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Në hapje të mbledhjes, Kryeministri Hoti ka folur për disa çështje me  interes për kabinetin qeveritar dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, e që ndërlidhen me zhvillimet e fundit nga vendimet e Dhomave të Specializuara.

“Besoj që ashtu sikur edhe në të kaluarën, edhe tash  institucionet e Kosovës kanë treguar dhe po tregojnë maturi dhe kulturë shtetërore në trajtimin e kësaj çështje. Ne mbesim në qëndrimin që lufta çlirimtare e popullit të Kosovës është e pa diskutueshme dhe nuk mund të gjykohet nga asnjë gjykatë."

"Ne vlerësojmë parimin elementar të drejtësisë të prezumimit të pafajësisë për secilin përderisa nuk kemi një vendim përfundimtar të gjykatës. Kosova siç ka vepruar edhe në të kaluarën edhe tash do të jetë e përgjegjshme karshi obligimeve kushtetuese, obligimeve ligjore që ka dhe obligimeve ndërkombëtare si shtet”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti ka folur edhe për vizitën në Bruksel, duke thënë se  mesazhi ynë për partnerët evropianë është vendosmëria e qeverisë për agjendën e integrimit evropian.  Kryeministri Hoti tha se në takimet e zhvilluara janë ngritur çështjet që janë me interes për shtetin e Kosovës, duke filluar nga nevoja që të kemi sa më parë liberalizim të vizave.

“Mbesim të përkushtuar që të mirëmbajmë të plotësuara kushtet që i kemi plotësuar deri më tash sa i përket liberalizimit të vizave” , tha kryeministri Hoti, duke theksuar se ka falënderuar institucionet e BE-së për mbështetjen që kanë dhënë në luftimin e pandemisë COVID-19.

Kryeministri Hoti theksoi se ka marrë premtimin për të punuar së bashku në përballje me këtë pandemi por edhe me rimëkëmbjen ekonomike dhe presin që në muajin e ardhshëm të ketë një takim të nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, për ndihmë nga BE për rimëkëmbjen  ekonomike.

Si çështja e tretë, kryeministri Hoti ka përmendur dialogun, duke thënë se pavarësisht zhvillimeve që ndodhin, dialogu nuk ka alternativë.

“Ne duhet të tregojmë përkushtim dhe gatishmëri si shtet që të hyjmë në këtë proces. Kosova është e përgatitur për këtë proces, është bërë një punë e madhe edhe në qeveritë e kaluara që tash është duke u sistemuar në secilën prej temave të mundshme të procesit të dialogut, i cili duhet të fillojë nga tema e dialogut që është njohja reciproke. Tani jemi duke punuar që të kompozojmë një delegacion, një ekip shtetëror që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces, sigurisht kryesuar nga kryeministri në bazë të kompetencave kushtetuese”, tha kryeministri Hoti.

Kryeministri Hoti para kabinetit qeveritar ka folur edhe për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin e Pagave.

“Sigurisht qeveria obligohet që të respektojë të gjitha aktgjykimet që dalin nga Gjykata Kushtetuese pa përjashtim dhe pa i diskutuar ato aktgjykime. Ne shprehim zotimin për fillimin e shpejtë të procedurave, ashtu siç ka deklaruar dje zëvendëskryeministri, që menjëherë të hyjmë në proces të adresimit të vërejtjeve të Gjykatës Kushtetuese karshi këtij ligji dhe ta procedojmë së shpejti  në Kuvendin e Kosovës."

"Rishikimi dhe adresimi i vërejtjeve të Gjykatës do të bëhet në një proces të konsultimit të ngushtë me të gjitha sindikatat përkatëse në sektorin publik, sepse Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për trajtim dinjitoz dhe të merituar të të gjithë të punësuarve në sektorin publik por edhe sektorin privat të Kosovës”, pohoi kryeministri Hoti.

Po ashtu, një pikë tjetër e theksuar nga Kryeministri Hoti ka qenë situata e re lidhur me pandeminë COVID-19.

“Ne kemi pasur konsultime të ngushta me Ministrinë e Shëndetësisë dhe komitetin brenda ministrisë për këtë çështje. Janë duke u krijuar kapacitete shtesë në Klinikën Infektive dhe klinikat tjera dhe nëpër spitale regjionale për këtë çështje, por të gjithë duhet të jemi të përkushtuar dhe të disiplinuar për të çuar mesazhin e nevojshëm te qytetarët e vendit sa i përket menaxhimit të kësaj pandemie."

"Trendi që kemi parë me rritjen e rasteve të të infektuarve është në përputhje me trendin që janë në regjion dhe më gjer, me kthimin e një vale të dytë të pandemisë, andaj ne jemi të shtrënguar që të marrim masat e nevojshme që të menaxhojmë situatën në mënyrë adekuate”, tha kryeministri Hoti.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për sistemim të përkohshëm të strukturave të ish MIE-së.

Strukturat organizative të ish-Ministrisë së Integrimit Evropian përkohësisht zhvendosen në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020, ish-Ministria e Integrimit Evropian, si organizatë aktuale buxhetore do të vazhdojë t’i përmbush obligimet financiare në përputhje me Ligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin  e Republikës së Kosovës për vitin 2020, në fuqi.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e “Këshillit të Ekspertëve për Dialog me Serbinë” në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Detyrat e këtij Këshilli janë që të bëjë analiza specifike si dhe të këshillojë Kryeministrin dhe Qeverinë për çështjet e dialogut me Serbinë sipas temave që do të diskutohen në procesin e dialogut. Këshilli do të përgatisë raporte, dokumente për pozicionin e Kosovës, dokumente analitike e fakto grafike dhe dokumente tjera sipas nevojës. Koordinatori Shtetëror për Dialog do të udhëheqë me punën e Këshillit, dhe i njëjti është edhe këshilltar i Kryeministrit. Koordinatori është koordinues me të gjitha palët në procesin e dialogut, në emër të Kryeministrit.

Ka marrë miratimin  e kabinetit qeveritar vendimi për transferimin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës nga Zyra e Kryeministrit bartet në Ministrinë e Financave, Zyra e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, bartet nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si dhe Këshilli Ndërministror për Ujëra bartet nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë, të datës 22 shtator 2017 për themelimin e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit shtetëror si dhe Vendimin e Qeverisë datës 2 maj 2019 për plotësimin dhe ndryshimin e këtij vendimi.

Në vazhdim, Qeveria ka miratuar vendimin për themelimin e Komisionit të Ministrave për Ndërmarrjet Publike në këtë përbërje:

1. Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Kryesues;

2. Ministri i Financave, Anëtar;

3. Ministri i Infrastrukturës, Anëtar;

4. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Anëtar,

5. Ministri i Zhvillimit Rajonal Anëtar.

Komisioni ka për detyrë që t’i rekomandojë Qeverisë së Republikës së Kosovës propozime dhe vërejtje që kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike dhe ky vendim zëvendëson dhe shfuqizon vendimin e datës 6 tetor 2017.

Miratimin e Qeverisë e ka marr edhe vendimi për themelimin e Komitetit Drejtues të Projektit të Asistencës Teknike – Energjia nga Linjiti, përgjegjës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”. Komiteti do të ketë këtë përbërje:

1.      Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Kryesues;

2.      Ministri i Financave, Anëtar;

3.      Ministri i Infrastrukturës, Anëtar;

4.      Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Anëtar;

5.      Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Anëtar;

6.      Përfaqësues i Zyrës së Kryeministrit, Anëtar;

7.      Kryesuesi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë; Anëtar;

8.      Kryesuesi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, Anëtar.

Ky komitet vendosë në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për çështjet që kanë të bëjnë me Termocentralin  “Kosova e Re” dhe në këtë rast shfuqizohet vendimi i Qeverisë i datës 10 mars 2020.

Me vendimin e miratuar sot nga Qeveria e Kosovës është anuluar Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës i datës 10 mars 2020 me të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet që lidhen me pronat e paluajtshme nga Lista e Aseteve për Qiradhënie – me karakter specifik – e azhurnuar” e shpallur me 5 mars 2020 dhe vendimin e Qeverisë të datës 23 mars 2020 në të cilin i kërkohet Agjencisë Kosovare të Privatizimit që të pezullojë për afat të pacaktuar të gjitha veprimet që lidhen me pronat e paluajtshme që i ka në administrim.

Me këtë vendim Autorizohet Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit që të ndërmarr veprimet e nevojshme për themelimin e Grupit Punues Ndërinstitucional me AKP-në, për draftimin e Strategjisë për Privatizimin e Ndërmarrjeve Shoqërore në harmoni me Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me qëllim të përmbylljes së suksesshme të procesit të privatizimit. Deri në miratimin e Strategjisë, kërkohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, që të mos procedojë me privatizimin e këtyre aseteve.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministren e Financave për nënshkrim të Marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Botërore që përfaqësohet  nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim. Marrëveshja e kredisë është për financimin e “Programi – Nxitja dhe levimi i mundësive për sigurimin e ujit.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e Komisionit të Ankesave për të Huajt. Komisioni ka këtë përbërje:

1. Agron Gashi, Zyra e Kryeministrit - Kryesues

2. Esat Veliu, Ministria e Drejtësisë - zv. Kryesues;

3. Arben Kqira, Ministria e Punëve të Brendshme - Anëtar;

4. Bashkim Shala, Ministria e Arsimit dhe Shkencës - Anëtare;

5. Jeton Maliqi, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës - Anëtar;

6. Samire Bajraktari, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë - Anëtare;

7. Leutrim Zabelaj, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Anëtar.

Mandati i Komisionit është  tre (3) vjet dhe është i pavarur në punën e tij. Ky Komision mund të vendosë edhe në panel prej 3 (tre) anëtarësh, dhe i njëjti merr vendime me shumicë votash ndërsa përfaqësuesi i UNCHR-it mund të merr pjesë në punën e Komisionit në cilësinë e vëzhguesit.

Me vendimin tjetër të miratuar nga Qeveria është themeluar Komisioni Kombëtar për Refugjat, në përbërjen si në vijim:

1.      Mergim Himaj, Ministria e Punëve të Brendshme - Kryesues;

2.      Leunora Ahmeti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale - Zëvendëskryetare;                         

3.      Nehat Pllana, Zyra e Kryeministrit - Anëtar;

4.      Shkelqim Jakupi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Anëtar;

5.      Ruzhdi Osmani, Ministria e Drejtësisë - Anëtar; 

6.      Aferdita S. Hoxha, Ministria e Shëndetësisë - Anëtare;                 

7.      Shkodran Manaj, Ministria e Punëve të Brendshme -  Agjencia e Regjistrimit Civil  - Anëtar;

Edhe mandati i këtij Komisioni është  tre (3) vjet dhe veprimtarinë e tij e ushtron në baze të Ligjit për Azil si dhe legjislacionit relevant në fuqi. Edhe në punën e këtij komisioni vendimet merren në këshilla prej tre (3) anëtarësh, dhe i njëjti merr vendime me shumicë votash, ndërsa përfaqësuesi i UNHCR-it,  merr pjesë në punën e Komisionit në cilësinë  e vëzhguesit.

Më qëllim të parandalimit të infeksionit Corona Virus COVID-19, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e Ministrisë se Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave si në vijim:

1.      Reduktimi i punonjësve në administratë vetëm në staf esencial dhe angazhimi i tyre me punë nga shtëpia (online), përgjysmimi i personave në secilën zyrë në përputhje me manualin.

2.      Të mbyllen zyrat apo njësitë në të gjitha Institucionet publike, dhe biznese private ku ka raste pozitive.

3.      Për personat me të cilën ka pasur kontakt personi tashme i konfirmuar me Covid -19 pozitiv, zbatohen protokollet në fuqi.

4.      Kontaktet duhet të vet-izolohen për 14 ditë në shtëpi, dhe nuk duhet të kenë asnjë kontakt gjatë kësaj periudhe.

5.      Kontaktet këshillohen për monitorim të shëndetit për 14 ditë pas datës së fundit të ekspozimit dhe të kërkojnë kujdes të menjëhershëm shëndetësore nëse shfaqin ndonjë simptomë (ethe, temperature, kollitje, vështirësi ne frymëmarrje ose diarre).

6.      Të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre, mbikëqyren nga shtabet Komunale, kontrollohen nga inspektorati, QKMF dhe organet e rendit.

7.      Në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të vendosura nga IKSHPK.

8.      Në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

9.      Inspektoratet sanitare të AUV dhe inspektoratet komunale të zbatojnë ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe të merren masa ne raste te mos zbatimit eventual të rekomandimeve të IKSHPK.

10.  Punëtoret shëndetësorë t’i përmbahen rekomandimeve të IKSHPK-së në përdorimin e masave mbrojtëse duke ruajtur kështu shëndetin e tyre, të pacienteve dhe të gjithë qytetarëve të vendit.

11.  Bartja e maskave të jetë obligative.

12.  Institucionet që ofrojnë shërbime përmes sporteleve, janë të obliguara, si punonjës ashtu edhe palët të mbaje maske, të respektohet distanca prej 2 metra në pritje në radhe me mundësi të pritjes në  hapësirat e jashtme sipas Manualit për luftimin e Covid-19.

13.  Kontroll rigoroze e bartjes së maskave në hyrje të çdo institucioni.

14.  Bartja e obliguar e maskës në transportin publik, taksive si të punonjësit ashtu edhe të udhëtarëve, të respektohet distanca prej 2 metra, ajrosja natyrale ( hapja e dritareve) dhe dezinfektimi i automjeteve se paku dy herë gjatë ditës.

15.  Ndërpriten aktivitetet në sektorin e identifikuar të Institucioneve përkatëse te listuar sipas gjurmimit aktiv epidemiologjik.

16.  Bartja e obligueshme e maskave nga organet e rendit ( zyrtaret policorë)

17.  Ndalim i vizitave te familjarëve te pacientëve në institucionet shëndetësore ( lejohet vetëm një përcjellës sipas nevojës).

18.  Reduktimi i operacioneve efektive ne institucionet shëndetësore.

19.  Bartja e obligueshme e pajisjeve personale mbrojtëse në të gjitha institucionet shëndetësore publike dhe private brenda dhe jashtë institucioneve.

20.  Kontroll rigoroz e inspektoratit shëndetësor në institucionet shëndetësore.

21.  Ndalohet grumbullimet në hapësirat e mbyllura dhe të hapura për më shumë se 50 persona.

22.  Kontroll i rreptë nga organet e inspektoratit dhe policisë për respektimin e distancës prej 2m dhe bartja e maskës në çdo hapësirë të mbyllur (zyra, qendrat tregtare, sportele) dhe te hapura ( gastronomia në tërësi)

23.  Në veçanti veprimtarit tregtare ( makete, furra e bukës , barnatoret etj.) dhe gastronomia janë të obliguara të bartin maska dhe qasje të lehtë dhe të vazhdueshme në përdorimin e dezinfektuesve.

24.  Ceremonitë mortore të zhvillohen vetëm me rrethin e ngushtë familjar.

25.  Angazhohen organet përkatëse të mbikëqyrin zbatimin e këtyre masave.

26.  Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-së do përcjellin  gjendjen dhe nëse  rendohet situata, atëherë do të kërkohet kthimi i masave rigoroze të rekomanduara sipas OBSH-së.

27.  Komunat të aktivizojnë plotësisht shtabet lokale.

28.  Zbatimi i masave shtesë të mbrojtjes për shtëpitë e pleqve 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)