Qeveria miratoi Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor
Prishtinë, 18 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e 112 të rregullt, në të cilën ka miratuar projektligje, koncept-dokumente dhe vendime tjera.
Pika e parë që mori aprovimin e kabinetit qeveritar ishte Projektligji për Inspektoratin Shëndetësor.
Me këtë projektligj, përcaktohen kompetencat, autorizimet, detyrat, organizimi, financimi, funksionimi dhe mënyra e punës së Inspektoratit Shëndetësor.
Ky Projektligj, po ashtu, e definon Inspektoratin Shëndetësor si organ të Ministrisë së Shëndetësisë, një detyrë specifike në ushtrimin e mbikëqyrjes së jashtme të subjekteve të inspektimit për të siguruar zbatimin e akteve juridike dhe normave etike profesionale në lëmin e shëndetësisë, me qëllim të arritjes, ruajtjes dhe rritjes së cilësisë në kujdesin shëndetësor.